Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot detaje mbi krijimin e Operatorit Kombëtar të Ujit, një iniciativë që synon riorganizimin dhe përmirësimin e menaxhimit të burimeve ujore në vend. Gjatë fjalës së tij, ai iu përgjigj edhe shqetësimeve dhe protestave të banorëve të Tragjasit, të cilët kanë kundërshtuar ndërhyrjet në burimet ujore të zonës.
Rama theksoi se burimet ujore i përkasin të gjithë qytetarëve dhe se prioriteti kryesor i qeverisë mbetet garantimi i ujit të pijshëm për popullsinë. Ai mohoi kategorikisht akuzat se qeveria po ndërhyn për të favorizuar interesa private apo oligarkike, duke i quajtur këto pretendime pjesë të një “bote konspiracionesh dhe rakie.”
Rama nënvizoi se projekti i ndërhyrjes në burimin e Shushicës dhe në zona të tjera si Tragjasi nuk është realizuar pa studime. Sipas tij, janë kryer monitorime të detajuara për 9 muaj, të cilat kanë vërtetuar se ndërhyrjet janë të justifikuara dhe nuk rrezikojnë mjedisin.
Kryeministri më parë paralajmëroi për dënime të rënda deri në burg për këdo që nuk paguan ujin, gjë që më parë është ndjekur në rastin energjisë elektrike.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Kam një fjalë që lidhet me atë që tha ministrja për Tragjasin, edhe për ndonjë rast tjetër. Të gjithë duhet ta kuptojnë që burimet ujore të Republikës së Shqipërisë nuk janë burimet e atij që i ka më afër, janë burime ujore të Republikës së Shqipërisë dhe në Republikën e Shqipërisë nuk ka njerëz me fat që e kanë ujin afër dhe njerëz pa fat që e kanë ujin te burimi larg.
Ndërkohë që, siç ua kam shpjeguar shumë banorëve të Tragjasit, siç ua kam shpjeguar edhe të tjerëve që më shkruajnë edhe komunikojnë me mua, as nuk diskutohet fare që nuk ekziston në asnjë botë tjetër, përveç se në botën e konspiracioneve dhe fantazive politike mediatike apo rreth tryezës duke pirë raki që qeveria e Republikës së Shqipërisë, që ministria apo autoritetet përgjegjëse t’i marrin ujin disave për t’ia dhënë disave, kjo nuk ekziston. Dhe kam një shembull për këtë që duhet ta kuptojnë të gjithë ata të cilët ngrihen kur ka nevojë që një burim uji të futet në shërbim të popullit shqiptar.
Kjo qeveri, ka ndaluar përfundimisht HEC-et prej kohësh dhe ka bërë një luftë të madhe me leje të dhëna për HEC-e, ato lejet, ka qenë një fjalë e jashtëzakonshme “mini superfuqi energjetike”, mini super fuqi, delir komplet edhe mini edhe super, por ajo mini super fuqia ishte faktikisht krijimi i një rrjeti gjakpirësish, njësoj si shushunjat që sulmojnë trupin për t’i thithur ujin bujqve, fermerëve, zonave të tëra dhe për t’ua tharë shtratin e lumit që disa të prodhonin energji.
Nuk ishte e nevojshme t’i hynte Shqipëria asaj aventure, të asaj mini super fuqisë që është një nga dëmet më të mëdha që i është bërë këtij vendi, por ndodhi sepse vullneti i popullit të çon aty ku pastaj të çojnë ata që udhëheqin, e prandaj ka dhe shumë rëndësi vota, por kjo është temë tjetër.
Kështu që ne e kemi mbyllur atë kapitull prej shumë kohësh dhe kemi bërë luftëra të mëdha me ata që kishin leje dhe që dilnin rrugëve dhe shisnin leje për HEC-e. Kështu që pse e kemi bërë? E kemi bërë për të mbrojtur burimet ujore të Republikës së Shqipërisë dhe burimet ujore të popullit shqiptar.
Nuk e kemi bërë për të ndaluar sipërmarrjen. Dhe ata që çohen dhe flasin, janë dhe ca që flasin anglisht për Vjosën dhe për burimet ujore të Vjosës dhe si ne po thajmë një burim të Shushicës për të shuar etjen e popullit tonë dhe sesi ne po thajmë një degë të lumit për të furnizuar me ujë të pijshëm banorët e Himarës, duhet ta kuptojnë, ata s’kanë për ta kuptuar asnjëherë se ata jetojnë me këtë punë, marrin fonde për këtë punë, por duhet ta dinë që prioriteti i prioriteteve është furnizimi me ujë i popullsisë. Natyrisht në ekuilibrin më të mirë të mundshëm me natyrën dhe as në njërin rast të Shushicës, as në rastin e Tragjasit dhe as në asnjë rast tjetër nuk bëhen fjalë për investime të papërgjegjshme për të tharë. Thaj këtej që të japësh andej. Absolutisht! Megjithatë duke respektuar siç tha ministrja njerëzit atje, 9 muaj, ditë për ditë kemi bërë të gjithë raportin e monitorimit të burimit.
Shifrat janë kaq kokëforta dhe kaq kuptimplota sa nuk ka më asnjë diskutim që projekti ishte i drejtë, se ne nuk bëjmë projekte, projektet i bëjnë ekspertët, jo se ishte një projekt që financohej nga qeveria por sepse ishte një projekt i bërë mbi monitorimit e burimit, nuk ishte një projekt i bërë në hava. Duhet ta kuptojnë shumë mirë njerëzit dhe sidomos ata që janë në zonat më të vështira, që ata janë drita e syve të qeverisë. Nuk ka qeveria dot kurrë qëllime të errëta ndaj tyre dhe nuk bën vaki që qeveria tua u heqë njerëzve të zakonshëm për tua u dhënë siç thonë jo një oligarku, jo dy oligarkëve, që oligarkë në Shqipëri nuk ka por ka mbetur dhe kjo “oligark në Shqipëri”. Nuk bën vaki kjo!
(BalkanWeb)
