Deputeti i zgjedhur i PD-së Ivi Kaso, i ftuar në studion e News24 tha se Partia Demokratike në zgjedhjet e 11 majit ishte përballë një makinerie shtetërore.
Kaso u shpreh se “PD duhet të bëjë një analizë të brendshme”.
Sipas tij, në Partinë Demokratike, duhet të bëhet riformatim, që nga drejtuesit politikë deri tek anëtarët e partisë.
Deputeti i zgjedhur i PD, Ivi Kaso: PD ishte përballë një makinerie shtetërore. Por sërish mund të them se duhet të bëhet një analizë brenda Partisë Demokratike, mund të jetë riformatim i Kryesisë dhe deri te seksionet në Partinë Demokratike, për shkak se duhet të nisë mbajtja e përgjegjësive nga drejtuesit politikë deri tek baza. Unë dëgjoj gjithmonë demokratët për vërejtjet e tyre. Sigurisht që ne nuk jemi perfekt.
Unë vlerësoj çdo demokrat që është aktiv. Ne jemi të hapur ndaj gjithkujt, por ata që duhet të shikojnë sesi duhet të bëhet PD, e të parët që duhet të flasin janë ata që janë përballur në protesta e në rrugë. Këta janë anëtarët më të mirë të Partisë Demokratike. Ne jetojmë në një vend, ku kryeministri vendos gjithçka, nuk kanë rëndësi as ministrat, askush, pasi çdo gjë vuloset nga një dorë.
(BalkanWeb)
