Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me grupin e punës për hartimin e Kodit të ri Penal, zhvillon sot tryezën e dytë të prezantimit teknik të draftit, përpara fillimit të konsultimeve të gjëra publike që do të zhvillohen për të.

Gjatë këtij aktiviteti po prezantohen në mënyrë krahasuese risitë e Kodit të ri Penal në raport me kodin aktual dhe me standardet referuese europiane, ndërsa grupi i punës do të paraqesë qëndrimet e tij lidhur me nenet që kanë qenë objekt diskutimi dhe komentimi publik pas prezantimit të parë të draftit.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në fjalën e tij u shpreh se janë marrë parasysh të gjitha shqetësimet në lidhje me draftin, që nga 5 korriku kur u bë dhe prezantimi i tij.

Manja ka renditur edhe hapat e ndërmarra deri tani, ndërsa shtoi se ka qenë pikërisht Ministria e Drejtësisë ajo që ka porositur përpilimin e draftit, kjo edhe në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.

“Në 25 korrik prezantuam draftin por që nga 25 korriku gjatë të gjithë verës ka patur mjaft komente, analiza, debate e diskutime, por edhe shqetësime për aspekte të veçanta teknike të draftit dhe procesit të ndjekur për hartimin e Kodit. Kemi mbajtur shënim çdo gjë, por për hir të së vërtetës, duhet ta them që nga publikimi i draftit deri tani ka ardhur një numër shumë i vogël komentesh. Roli i ministrisë në këtë proces është ai I porositësit të draftit të Kodit të ri Penal. Jemi ne Ministria në emër të qeverisë që e kemi porositur këtë draft edhe si përmbushje e detyrimeve dhe procesit të negociatave me BE”, tha ai.

 

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb