Vijon operacioni policor “Koordinata” për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Si pasojë është arrestuar një shtetas dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim pasi kishin kultivuar 427 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa në fshatin Urë.
Bimët narkotike u asgjësuar nëpërmjet djegies.
Njoftim i Policisë:
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë intensifikuar kontrollet në terren.
Si rezultat i kontrolleve dhe i hetimeve me metoda proaktive u zbuluan në fshatin Urë, 2 parcela në të cilat ishin kultivuar 427 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast, u identifikuan autorët e dyshuar, dhe u vu në pranga shtetasi R. M., 58 vjeç si dhe u shpallën në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasve E. K., 35 vjeç dhe A. M., 26 vjeç, të tre banues në Shëngjergj.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar 427 bimë në 2 parcela në fshatin Urë, Njësia Administrative Shëngjergj, të cilat ruheshin me dy kamera online, të vendosura pranë vendit të ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)
