Kreu i PD Sali Berisha u shpreh përmes një reagimi në rrjetet sociale se pas 16 vitesh u inaugurua rruga Qukës-Qafë Plloçë, e cila sipas tij është ” vepra publike në të cilën u vodhën në rreth 180 milionë euro.”
Ai u shpreh se edhe pse ndërtimi i saj nisi në vitin 2009 dhe duhet të përfundonte në vitin 2014, aksi prej vetëm 43 kilometrash u inaugurua vetëm së fundmi pas abuzimeve me vlerë marramendëse.
Sipas tij çmimi për ndërtimin e rrugës nga 73 milionë euro për 43 km përfundoi në mbi katërfishim, apo në 260 milionë euro, ndërsa nuk kurseu komentet as për ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku
“Në inaugurim, Lubia e ekzaltuar këndonte nënse: “Bjeri gajdes gajdexhi, gajdexhi të lumtë goja se ne mbushëm xhepat tona. O Eeeeeeee Gajdexhiiiiiii!””, shkroi Berisha.
Reagimi i plotë:
Inaugurohet pas 16 vitesh rruga “vidh e vidh nuk ka të sosur” prej 43 km Qukës-Qafë-Plloçë. Ajo duhet të përfundonte në vitin 2014!
Të dashur miq, sot me dajre dhe gajde u inaugurua 16 vite pas inaugurimit të fillimit të punimeve rruga prej 43 km Qukës-Qafë-Ploçë. Kjo rrugë, ndërtimi i të cilës zgjati 16 vite si asnjë rrugë tjetër, është gjithashtu vepra publike në të cilën u vodhën në rreth 180 milionë euro. Rruga ndjek deri diku në trajektoren e saj gjurmën e rrugës së lashtë “Egnatia” dhe shkurton distancën Korçë-Tiranë dhe urbanizon krahinën e Mokrës. Ndërtimi i saj filloi më 26 qershor të vitit 2009. Ajo u prokurua për shumën 73 milionë euro, financim i Bankës “Islamike” për ndërtimin e saj në të gjithë gjatësinë, përfshirë tunelin në Qafë-Ploçë dhe përfundimin e saj brenda vitit 2014. Pas fillimit të punimeve dhe përfundimit të 12 km të para dhe pas zgjedhjeve të 2013, Edi Rama kërkoi bankës të anulonte financimin e projektit, mbasi sipas tij nuk nevojitej dhe fondin ta përdorte për qëllime të tjera. Banka “Islamike”, e cila kishte shqyrtuar projektin dhe miratuar atë dhe supervizorin e tij, iu përgjigj se qeveria shqiptare mund të anulojë kredinë, kurse banka nuk mund ta ndryshojë destinacionin e saj për qëllime të tjera. Pas kësaj, Ramaduro ndryshoi projektin dhe nisi seriali “vidh e vidh nuk ka të sosur”. Me projektin e Ramaduros, si kurrë ndonjëherë, segmentet e rrugës dy vitet e fundit nuk bashkoheshin njëri me tjetrin në dy raste, sepse nuk ndiqnin të njëjtën trajektore. Kështu, çmimi për ndërtimin e rrugës nga 73 milionë euro për 43 km përfundoi në mbi katërfishim, apo në 260 milionë euro. Por po të kemi parasysh mbi trefishimin e kohës së ndërtimit, çmimi real i saj në raport me kthimin e investimit shkon më së paku edhe tre herë më i lartë. Në inaugurim, Lubia e ekzaltuar këndonte nënse: “Bjeri gajdes gajdexhi, gajdexhi të lumtë goja se ne mbushëm xhepat tona. O Eeeeeeee Gajdexhiiiiiii!”
