Analisti dhe gazetari Agim Baçi ka komentuar zhvillimet më të fundit në skenën politike shqiptare, në prag të nisjes së sezonit të ri politik. I ftuar në studion e News24, Baçi u ndal te pritshmëritë për kabinetin e ri qeveritar, sfidat e opozitës dhe rruga drejt integrimit europian.

Sipas tij, Kryeministri Edi Rama pritet të sjellë një kabinet më politik se në rastet e mëparshme, duke iu referuar realitetit me një shumicë të thellë parlamentare.

“Besoj se Rama këtë herë do të ketë një kabinet më politik se herët e tjera, edhe për shkak të përvojës së numrave të mëdhenj në Parlament, që paradoksalisht sjellin një rrezik më të madh,” u shpreh Baçi.

Ai kritikoi funksionimin aktual të institucioneve shtetërore, duke theksuar se aksionet e qeverisë shpesh varen nga ndërhyrja direkte e Kryeministrit.

“Kur nis me aksione, kuptojmë se qeveria funksionon vetëm kur vërshëllen Rama. Kjo tregon se institucionet nuk zbatojnë ligjin në mënyrë të pavarur,” shtoi ai, duke paralajmëruar se mungesa e kontrollit parlamentar rrezikon efikasitetin dhe besimin e qytetarëve.

Duke u ndalur te rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, analisti theksoi se vendi është ende larg përmbushjes së standardeve kryesore, veçanërisht në zbatimin e ligjit.

“Nëse flasim për integrimin në BE, duhet të flasim për zbatimin e ligjit. Dhe aty jemi ende larg,” tha ai.

Ndërsa foli për rolin e opozitës, Baçi theksoi nevojën për vetëreflektim dhe vendosjen e parimeve që lidhen drejtpërdrejt me interesat e qytetarëve.

“Opozita duhet të pyesë veten nëse është instrumenti i duhur ku të besojë shoqëria për të ndryshuar qeverinë. Në vende ku dominojnë të fortët, është e vështirë të ngrihesh. Por shpresën e sjell vetë qytetari, siç ndodhi në 1992 kur PD fitoi pa pasur asnjë instrument përballë Ramiz Alisë,” theksoi ai.

Baçi kritikoi gjithashtu vendimin e opozitës për të djegur mandatet në vitin 2019, duke e cilësuar si një gabim që nuk duhet përsëritur.

“Demokracia është çështje bashkëveprimi. Nuk mendoj se opozita do kryejë ‘vetëvrasje’ përmes djegies së mandateve këtë herë,” shtoi ai.

Sa i përket situatës brenda opozitës, Baçi vuri theksin te përgjegjësia e kryedemokratit Sali Berisha për gjendjen aktuale.

“Berisha ka për detyrë të mbajë përgjegjësi për situatën. Është hipokrizi politike të fajësosh të tjerët poshtë tij. Ata që nuk duan ta vendosin përballë përgjegjësisë, duan thjesht të mbijetojnë politikisht,” tha ai.

Në fund, Baçi theksoi se si Partia Socialiste, ashtu edhe Partia Demokratike kanë potencial për t’u rindërtuar, por kjo varet nga vullneti për të hapur rrugën për ndryshim.

“Në vende demokratike, rruga është hapur shpesh përmes dorëheqjes dhe hapjes ndaj mentalitetit fitues. Nëse opozita nuk vendos parime që kanë të bëjnë me qytetarët, nuk mund të pretendojë të shihet si alternativë për qeverisjen,” përfundoi Baçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb