Një akt i rrallë humaniteti mes flakëve në Greqi është përfshirë në mesin e 12 fotografive më të fuqishme të vitit 2025, sipas BBC-së. Fotografia, e realizuar nga fotoreporteri Thanassis Stavrakis i agjencisë Reuters, paraqet një moment prekës: një burrë shqiptar që po transporton një dele në motorr për ta shpëtuar nga zjarret e furishme që përfshinë zonën e Patrës në gusht të këtij viti.
Kjo pamje, e mbuluar nga tymi dhe flakët, u bë simbol i guximit dhe dhembshurisë njerëzore në një kohë kur shumë banorë po evakuoheshin, ndërsa jeta e njerëzve dhe e kafshëve ishte në rrezik të madh.
BBC, duke e komentuar fotografinë, e krahason me imazhet e lashta të “Bariut të Mirë” nga katakombet romake, ku Jezu Krishti shihet duke mbajtur një kafshë të pafajshme mbi supe. Kjo metaforë e përjetshme – qoftë e pikturuar në mure shekullore apo e kapur në një moment të vetëm nga objektivi i aparatit – thekson një ide të përhershme: heroizmi i heshtur dhe përkujdesja për më të dobëtit është një akt i madh njerëzor që kapërcen kohën.
(Balkanweb)
