Viti i ri shkollor 2025-2026 nis sot për rreth 345 mijë nxënës në të gjithë vendin, ndërsa 31 mijë mësues do të rikthehen në punë në institucionet arsimore publike.

Ministria e Arsimit, në një postim në rrjetet sociale, bën me dije se janë siguruar tekste falas për 236 mijë nxënës, ndërsa janë ndërtuar dhe rehabilituar 30 shkolla të reja.

“Mësuesit, psikologët, punonjësit socialë, oficerët e sigurisë dhe i gjithë stafi i shkollave tona janë gati të mirëpresin nxënësit në ditën e parë të shkollës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Sipas MAS janë më shumë se 340 laboratorë smart në të cilët do të shtrihet kurrikula e teknologjisë dhe informacionit, përmes programit të kodimit codmonkey.

Ky program këtë vit zgjerohet për klasën e katërt, për të gjithë nxënësit që janë pjesë e shkollave ku sot smartlab-et janë funksionalë.

Për këtë vit shkollor Ministria e Arsimit dhe Sportit me një udhëzim të veçantë ka përcaktuar rregullat dhe masat për ndalimin e përdorimit të telefonit celular dhe pajisjeve të ndërlidhura me të në institucionet arsimore parauniversitare.

Telefonat nuk duhet të merren në shkollë. Në rast të nevojës të argumentuar nga prindi, në drejtorinë e shkollës, që fëmijën ta pajisë me telefon, atëherë telefoni fiket, nxënësi e dorëzon sipas rregullit të shkollës në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë, nga momenti i nisjes së mësimit deri në përfundim të orarit mësimor.

Gjatë këtij viti mësimor janë të angazhuar 640 mësues kordinatorë, 2,260 mësues ndihmës për nxënësit me aftësi të veçanta me një rritje prej 150 më shumë se në vitin 2024.

Transporti falas do të ofrohet për 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues.

MAS deklaron se janë akorduar 3,500 bursa për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje financiare.

Ndër risitë e vitit të ri shkollor 2025-2026 janë edhe Konkursi Kombëtar i Teatrove për nxënësit e klasave të teta dhe të nënta; Festivali Kombëtar i Shkencës për gjimnazet, si dhe vijimi i Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb