Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me sigurinë ushqimore në Shqipëri, teksa thotë se është zero siguri.

Marrë shkak nga kthimi dhe asgjësimi i produkteve nga vendet ku eksportohen, Xhixho, përmes një reagimi në rrjetet sociale shkruan se specat e bllokuar në Slloveni janë vetëm një tregues i papërgjegjshmërisë institucionale që kërcënon shëndetin e qytetarëve sa herë ulen në tryezë

Reagimi i Xhixhos:

Siguria ushqimore në Shqipëri është zero. Produktet shqiptare që bllokohen, kthehen ose asgjësohen në vendet ku eksportohen, janë prova më e qartë se shqiptarët nuk e dinë çfarë u vënë në tryezë fëmijëve të tyre.

Shqipëria europiane që Rama u premtoi shqiptarëve jo vetëm që nuk garanton dot sigurinë e ushqimit që ata konsumojnë përditë, por po bëhet rrezik edhe për të tjerët.

Specat e bllokuar në Slloveni janë vetëm një tregues i papërgjegjshmërisë institucionale që kërcënon shëndetin e qytetarëve sa herë ulen në tryezë.

AKU mund të dalë prapë me deklarata për të “qetësuar” konsumatorin shqiptar, duke i thënë se “i kanë ngrënë të tjerët, mos u shqetësoni”, por e vërteta e hidhur është se raste të tilla tregojnë dështimin e tij si institucion.

Në më pak se një vit:

* Kroacia ka refuzuar eksportin e specave shqiptarë për shkak të niveleve të larta të pesticideve

* Mandarinat e kontaminuara që nuk u lejuan të hyjnë në BE, përfunduan në tregun vendas

* Luleshtrydhet u gjetën me pesticide të ndaluara

* Në tregun shqiptar u konstatua peshk me parazit Anisakis

* Mishi i derrit dhe i pulës rezultoi i kontaminuar me salmonelë

* Akulloret rezultuan me oksid etileni kancerogjen

* Kroacia bllokoi pjeshkët shqiptare për shkak të përmbajtjes së lartë të nikelit

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb