Jim Jarmusch është shpallur fitues i Luanit të Artë 2025 në Festivalin e Venecias me filmin “Father mother sister brother”.

Pas gjashtë vitesh nga filmi i tij i fundit “The Dead Don’t Die”, regjisori amerikan u rikthye me një histori të mbështjellë me humor surreal dhe marrëdhënie të ndërlikuara mes prindërve e fëmijëve.

Në film interpretojnë Tom Waits, Charlotte Rampling, Cate Blanchett dhe Vicky Krieps.

Çmimi i Madh i Jurisë shkoi për “The Voice of Hind Rajab” të Kaouther Ben Hania, që u prit me ovacion të gjatë në sallë. Regjisorja e emocionuar ia dedikoi çmimin Gjysmëhënës së Kuqe palestineze dhe fëmijëve të Gazës.

“Historia e Hind nuk është vetëm e saj, por e mijëra fëmijëve që duhet të shpëtohen”, tha ajo.

Luani i Argjendtë për regjisorin më të mirë iu dha Benny Safdie për filmin amerikan The Smashing Machine, biografi e kampionit të MMA, Mark Kerr.

Çmimi Special i Jurisë u dha dokumentarit Sotto le nuvole të Gianfranco Rosi, një rrëfim bardhë e zi mbi Napolin mes Gjirit dhe Vezuvit. Rosi theksoi se dokumentari është pjesë thelbësore e kinemasë.

“Detyra jonë është të dëshmojmë, edhe përmes akteve mizore”, tha ai.

Çmimi për skenarin më të mirë e morën Valerie Donzelli dhe Gilles Marchand për filmin francez “À pied d’œuvre”, i bazuar në romanin autobiografik të Franck Courtès.

Në kategorinë e aktrimit, Toni Servillo fitoi Coppa Volpi për interpretimin më të mirë mashkull me filmin “La Grazia” të Paolo Sorrentinos. Aktori falenderoi regjisorin dhe shprehu publikisht respekt për ata që kanë ndërmarrë rrugën drejt Palestinës për të sjellë solidaritet.

Coppa Volpi për aktoren më të mirë shkoi për kineasten kineze Xin Zhilei me filmin “The sun rises on us all”, që tregon historinë e një dashurie të humbur dhe sakrificës së dhimbshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: