Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime të thella në ligjin për funksionimin dhe organizimin e trupës diplomatike të Shqipërisë, si dhe një mbështetje të shtuar financiare për këtë shërbim.
Duke folur në Konferencën e Ambasadorëve – DIPLO2025, që po zhvillohet në Tiranë, kreu i qeverisë bëri të ditur se tashmë është përgatitur një draft ligjor, i cili së shpejti do të dërgohet në Kuvend për miratim. “Rritja e Akademisë së Diplomacisë sipas modeleve më të mira europiane është një hap shumë i nevojshëm, ndërkohë që i domosdoshëm është edhe reformimi i kuadrit normativ të shërbimit të jashtëm”, – deklaroi Rama.
Sipas tij, kuadri i ri ligjor do t’i japë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme më shumë modernitet, efikasitet dhe fleksibilitet, duke rritur si kërkesat ndaj diplomatëve, ashtu edhe mbështetjen për përfaqësitë diplomatike shqiptare në botë.
Rama deklaroi se të gjitha forcat e shërbimit tonë diplomatik duhet të fokusohen tek arritja e objektivit historik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij në konferencën 3-ditore të ambasadorëve shqiptarë nëpër botë, Rama u shpreh se, “konferenca tradicionale e ambasadorëve këtë vit vjen në një moment historik për rrugëtimin e Shqipërisë drejt majës së shumëndërruar të BE-së dhe pa asnjë diskutim të gjitha forcat e shërbimit tonë diplomatik kudo, nga Brukseli e në çdo kryeqytet tjetër duhet të fokusohen në radhë të parë tek ky objektiv historik që tanimë është më afër se asnjëherë tjetër dhe që duhet përmbushur me finalizimin me sukses të procesit të negociatave për anëtarësim, me ratifikimin me sukses të vendimit të anëtarësimit në 27 parlamentet të vendeve anëtare të BE-së”.
Rama u shpreh se, “kjo do të thotë se këto 4 vite, të cilat përkojnë me këtë axhendë janë 4 vite ku asnjë ditë nuk duhet humbur dhe ku koha nuk pret për të përgatitur të gjithë terrenin e mbështetjes së vendimit që do të marrë Këshilli Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.
Sa i përket negociatave, Rama u shpreh se ato zhvillohen mbi bazë dypalëshe mes Republikë së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, por shtoi ai, “e gjithë atmosfera rreth tyre ka një rëndësi të vetën dhe është e ndikueshme patjetër, siç e kemi parë dhe në të shkuarën nga faktorë të ndryshëm”.
Rama shtoi se, për këtë arsye është me rëndësi puna e përditshme e shërbimit tonë diplomatik dhe fokusi i përditshëm sidomos në disa prej vendeve evropiane ku nevoja për të ushqyer me energji pozitive nga Shqipëria politikëbërësit dhe opinionin publik është e një rëndësie të veçantë.
Rama theksoi se “kjo konferencë zhvillohet në një moment kur kreditet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare janë më të larta se asnjëherë dhe kur profili i Shqipërisë si një vend në ngjitje, si një realitet në zhvillim, si një partner i besueshëm në rajon, në të gjitha tryezat ndërkombëtare është absolutisht një aset, i cili duhet shfrytëzuar në funksion të Shqipërisë 2030 dhe më tutje”.
(BalkanWeb)
