Një kontroll blic është kryer nga policia në shtëpinë e motrës së Mustafa Licit në Shkodër, i cili dyshohet se është pas vrasjes së sotme në Shkodër ku mbetën të vrarë 2 persona dhe 2 të tjerë të plagosur.
Sipas informacionit në terren, mësohet se gjatë kontrollit janë gjetur 4 armë. Ragip Gila, autori i vrasjeve dyshohet se vepronte për llogari të Lulzim Kullës, dhëndër në familjen Lici.
Mësohet se janë shoqëruar disa persona, mes tyre dhe Barush Bregu.
Në deklaratën e tij të parë, dhënë në polici, autori i krimit Ragip Gila është shprehur se objektivi i tij ka qenë vetëm Erogen Vaso (Erogen Brajoviç), vëllai i Denis Brajoviç, pas një problemi personal me të.
“Erogen Vaso ka ndenjur duke më ka kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam patur personale vetëm me Ergogen Vason dhe doja të qëlloja vetëm atë. Pra kam patur probleme personale me të”, mësohet të ketë thënë autori i dyshuar Gila pas marrjes në pyetje në polici.
Nga të shtënat mëngjesin e kësaj të hëne humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi). Të plagosur mbetën Erogen Vaso Brajoviq i cili dyshohet të ketë qenë shënjestra e atentatit dhe banakierja e lokalit ku ndodhi ngjarja Meri Kaceri.
(BalkanWeb)
