Dy persona u vranë dhe 2 të tjerë u plagosën gjatë një atentat mëngjesin e së hënës në qytetin e Shkodrës. Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal pranë shkollës “Kolë Idromeno”, fare pranë bashkisë së qytetit. Nga breshëria e plumbave mbeti i vrarë Armando Pali, punonjës i IMT Shkodër, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak, i cili ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Pak momente më vonë, në spitalin rajonal të Shkodrës ndërroi jetë edhe 31-vjeçari Liridon Kraja alias Lushi, dhëndër në fisin Bajri.
Në momentin e sulmit Armando Pali ishte në tavolinë me Liridon Krajën alias Lushi, si dhe me Erogen Vason alias Bajroviç, i cili dyshohet se ishte edhe shënjestra e atentatit. Erogen Vason alias Bajroviç është vëllai i Denis Bajri, me precedentë të mëparshëm kriminal. Nga të shtënat me armë po ashtu u plagos edhe 25-vjeçarja Meri Kacerri, kameriere në këtë lokal.
Pak orë pas ngjarjes, hetuesit zbardhën edhe dinamikën e krimit. Mësohet se autori i dyshuar i vrasjeve, Ragip Gila, pasi ka ndjekur viktimat brenda lokalit ka qëlluar ndaj tyre me breshëri plumbash. Më pas, ai ka dalë nga dera dytësore dhe është larguar në këmbë me armë zjarri në dorë për afro 300 metra nga lokali në pjesën e rrugës Don Bosko deri në Perash, duke braktisur motorin pranë vendit të krimit. Aty më pas ka grabitur një automjet duke i vënë armën në kokë drejtuesit të makinës.
Me makinën e grabitur dhe skafandë në kokë brenda automjetit, ka tentuar që të largohet derisa ka bërë një aksident në zonën e Sarreqit dhe më pas policia i është vënë në ndjekje duke e arrestuar poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir.
Autori i dyshuar i vrasjes është me precedent të mëparshëm kriminal, ku në dhjetor të 2023 u arrestua, pasi iu gjetën në banesë armë, maska dhe jelekë antiplumb që dyshohet se do të përdoreshin në ngjarje të mundshme kriminale.
(BalkanWeb)
