Partia Demokratike do të mbledhë ditën e sotme në orën 13:00 Kryesinë e partisë, e cila do të jetë edhe hera e parë që kjo strukturë takohet pas zgjedhjeve të 11 majit.

Sipas njoftimit të dhënë nga demokratët, në mbledhjen e Kryesisë, PD do të diskutojë mbi vendimarrjen e saj në lidhje me qëndrimet e opozitës ndaj farsës zgjedhore dhe zhvillimet politike në vend.

Mbledhja e cila do të nisë në orën 13:00 do të nisë me një fjalë nga kryetari i partisë Sali Berisha në sallën “Azem Hajdari” drejtuar anëtarëve, ndërsa më pas pritet që diskutimet të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Më herët eksponentë të PD-së kanë thënë se forumet e partisë si Kryesia dhe Këshilli Kombëtar do të jenë ato që do të vendosin edhe për vijueshmërinë e aksionit opozitar.

Pritet që peshë të konsiderueshme të kenë diskutimet për zhvillimin e protestave dhe ato për hyrjen apo jo në Parlament të opozitës, duke qenë se PD ka kontestuar vazhdimisht zgjedhjet e 11 majit duke i cilësuar si “farsë elektorale”, ndërsa ka theksuar se nuk e njeh rezultatin.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb