Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, lidhur me përzgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK.
Delegacioni i BE-së deklaroi se do ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe ritheksoi angazhimin për mbështetjen e reformës në drejtësi. Në një postim në Facebook, theksohet rëndësia e një sistemi gjyqësor të pavarur për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Sipas deklaratës, besimi i qytetarëve në drejtësi është kyç për përparimin evropian të vendit. BE premtoi mbështetje të mëtejshme për institucionet e drejtësisë përmes ekspertizës dhe asistencës teknike. Bashkimi Europian do të vijojë të ndihmojë KLP-në për të përmbushur standardet evropiane. Në fokus mbeten pavarësia, përgjegjshmëria dhe efikasiteti i sistemit gjyqësor.
Njoftimi
Një sistem drejtësie i besueshëm dhe i pavarur mbetet thelbësor për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të avancuar rrugën e Shqipërisë🇦🇱 drejt Bashkimit Evropian.
Ambasadori i BE-së Gonzato u takua me znj. Mirela Bogdani, Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), për të diskutuar punën në të ardhmen dhe momentet kyçe që priten, përfshirë përzgjedhjen dhe emërimin e Kreut të ri të SPAK. Delegacioni i BE-së do të ndjekë nga afër këtë proces, duke vazhduar njëkohësisht të mbështesë të gjithë sistemin gjyqësor në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjitha nivelet.
KLP ka një rol thelbësor në garantimin e procedurave transparente dhe të bazuara në meritë për ngritjet në detyrë, vlerësimet dhe standardet profesionale brenda sistemit të prokurorisë. Ne do të vazhdojmë të asistojmë KLP-në me ekspertizën tonë më të mirë për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë standardet e BE-së.
