Kanadaja denoncoi Rusinë të mërkurën pasi autoritetet polake thanë se dronët rusë shkelën hapësirën ajrore polake dhe të NATO-s gjatë sulmeve të natës kundër Ukrainës.
“Gjatë natës, dronët rusë shkelën hapësirën ajrore polake dhe të NATO-s gjatë një sulmi kundër Ukrainës. Edhe një shembull i tmerrshëm i refuzimit të Putinit për të kërkuar paqe”, tha Ministrja e Jashtme Anita Anand në platformën sociale amerikane X.
Duke riafirmuar angazhimin e Kanadasë ndaj aleatëve të saj, Anand tha: “Pa dyshim, Kanadaja qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë dhe Ukrainën. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë që t’i japë fund luftës së saj të pajustifikuar dhe të paligjshme.”
Komentet e Anand erdhën pasi Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake tha të mërkurën herët në mediat sociale se avionë luftarakë që i përkisnin vendit dhe aleatëve të tij u ngritën në ajër pasi “objekte të tipit dronë” shkelën në mënyrë të përsëritur hapësirën e saj ajrore.
“Ky është një akt agresioni që përbën një kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”, tha komanda.
Kryeministri polak Donald Tusk tha se autoritetet fillimisht regjistruan 19 shkelje të hapësirës ajrore të saj.
Polonia herë pas here ka pretenduar kalimin e dronëve dhe raketave ruse në hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve të natës në Ukrainë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se nuk kishte ndërmend të godiste ndonjë objekt në Poloni gjatë sulmeve të së martës në mbrëmje në Ukrainë dhe ishte gati të diskutonte incidentin me ushtrinë polake.
