Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, u është drejtuar sot me një mesazh të drejtpërdrejtë dhe të qartë deputetëve të rinj socialistë, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të PS.

Duke folur për mandatin e ri qeverisës dhe sfidat që e shoqërojnë, Rama theksoi se koha është faktori më i kufizuar dhe se secili nga deputetët duhet të zgjedhë nëse do ta shfrytëzojë mandatin me përkushtim, apo do ta humbasë mes zakoneve të vjetra politike.

“Ajo që nuk kemi është koha. Shokët dhe shoqet që na janë bashkuar, u them që zgjedhja juaj është e thjeshtë: Doni të rrini vërdallë 4 vite apo doni që kjo rrugë të zgjatet përtej një mandati?” tha Rama.

Ai i ftoi deputetët e rinj të ruhen nga “tarbet e vjetra” që mund të gjejnë brenda strukturave të PS-së dhe të fokusohen tek puna konkrete në shërbim të qytetarëve.

“Nëse doni të dytën, duhet të ruheni nga tarbet e vjetra që do gjeni këtu, të vlerësoni mandatin tuaj të parë si një gjë që duhet ta fitoni përditë dhe të jeni të parët kudo ku është detyra,” u shpreh kryeministri.

Rama shtoi se programi qeverisës i këtij mandati është më i qarti dhe më konkret se kurrë, ndërsa e quajti projektin e integrimit evropian si mision kombëtar.

“Të gjithë bashkë, të nderuar deputetë, programi ynë qeverisës nuk ka qenë kurrë më i qartë dhe konkret se këtë radhë. Misioni ynë kombëtar i bashkimit me Evropën nuk ka qenë kurrë kaq i qartë sa sot,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb