Vetting
Policia, një shkop në dorë të “KAYOS”
Ndërhyrja e kompanisë “KAYO” te mjediset e News24 u realizua me ndihmën e Policisë së Shtetit, e cila nuk kishte një shkresë zyrtare, një urdhër apo një vendim gjykate për të ndërhyrë te studiot e “News24”.
Redi Ramaj: Futja e vrullshme e policisë dhe ushtrisë në mënyrë flagrante në shkelje me ligjin ka sjellë pasoja që janë tjetërsuar sendet dhe materialet e televizionit të gazetarëve që kishin materiale personale, qoftë pajisje, laptop, dokumenta, të cilat i përkisnin atyre”.
“Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Policisë së Shtetit për t’i vendosur në dispozicion një kopje të urdhrit për ndërhyrjen në godinë, e cila drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda. Ky i fundit ka refuzuar t’i përgjigjet kërkesës së “Vetting” deri në publikimin e këtij materiali.
Erion Kanxheri: “Në rastin konkret, edhe policia, edhe shoqëria KAYO, edhe Policia Ushtarake nuk kanë patur dokumentacion që të pakten me të në vjesht në dispozicion. Nuk ka që një njoftim, nuk ka pasur asë njoftim para prak, nuk ka patur asnjë një lloj komunikimi. Pra, jemi në kushtet e një veprimi faktik të kryer në kushte, le të themi të dhunës policore”.
Sipas avokatit Erion Kanxheri, Ministria, Policia Ushtarake, kompania publike “KAYO” sh.a dhe Policia e Shtetit kur kanë një pretendim, nuk mund ta ekzekutojnë vetë. Erion Kanxheri: “Pyetja është shumë e thjeshtë, cili ishte shkaku dhe baza ligjore që policia e rendit ndihmon një shoqëri aksionare për të futur në një godinë që ka pretendime. Nuk ka shkak të ligjshëm këtu, nuk ka një urdhërim ligjor”.
Pavarësisht kërkesave të shumta nga gazetarët, Policia e Shtetit nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare sot e kësaj dite për ngjarjen e rëndë.
Por ashtu si Ushtria, edhe titullarët e Policisë së Shtetit kanë pikëpyetjat e veta.
Ilir Proda është vendosur në krye të Policisë së Shtetit në tetor 2024, duke zëvendësuar Muhamet Rrumbullakun. Sipas burimeve mediatike, disa ditë përpara se të emërohej në krye të Policisë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do t’i sekuestronin telefonin Prodës, pasi dyshohej se kishte dekonspiruar aksionin e SPAK-ut në Elbasan për grupin Çopja. Në atë kohë, Proda ka qenë Drejtor i Drejtorisë Vendore në Elbasan.
Por Ilir Proda është një nga tre figurat kyçe të ndërhyrjes së 9 gushtit 2025 në zyrat e “News24” “Panorama Group”. Ai ishte pjesë e zinxhirit të pushtetit që lejoi hyrjen e forcave policore dhe ushtarake pa asnjë urdhër gjykate dhe dokument zyrtar.
Ironia lidhet me faktin se edhe vetë te të ardhurat financiare, pasuria e Prodës është ndërtuar mbi mungesë dokumentesh dhe marrëveshjesh që nuk janë formalizuar. Në 8 mars 2024, Proda do të kalonte Vettingun e Policisë nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Policisë, e cila kishte në komision Bora Vrenjo, Henri Naqellari dhe Loreta Hanxhari.
Sipas avokatit Arben Llangozi, në Policinë e Shtetit ashtu si në drejtësi nuk ka patur një vetting të plotë. “Mjafton të shohim rastet e shefave të Policisë së Shtetit, që janë arrestuar nga SPAK-u, të cilët kishin kaluar vetingun me miliona euro pasuri. Mendoj se rastet kur personat që kanë kaluar vettingun dalin të korruptuar, duhen hetuar edhe Komisioni që ka bërë vettingun nga SPAK-u”, tha për “Vetting” avokati Llangozi.
Por në dokumentet e siguruara nga “Vetting” do të rezultonin shumë pikëpyetje me pasurinë dhe mënyrën se si ishin financuar shtëpitë.
Në vitin 2012, Proda bleu një apartament 52.9 m² në Tiranë dhe pagesa përfshiu 8 milionë lekë kesh ose 8 mijë euro të dorëzuara jashtë zyrës noteriale pa mandat. Ndërkohë për mobilimin ai do të deklarone 4 milionë lekë, por asnjë faturë nuk është paraqitur. Shumë nga këto shpenzime, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë do t’i justifikonte si ndihma ose kursime familjare.
Por në vitin 2017, Proda do të blinte një apartament tjetër, më të madh me sipërfaqe 119.8 m², me një hua prej 52,000 € nga një mik privat, biznesmeni Ylli Cara me të cilin deri në vitin 2017 e ka patur si ortak një kompani private. Fillimisht huaja ishte verbale, por më pas u formalizua vetëm me një deklaratë noteriale.
Pagesa e huasë parashikohej me këste 500 € në muaj, por sërish shumë shuma janë paguar në kesh. Ky lloj borxhi, jashtë sistemit bankar dhe nga një biznesmen privat, krijon dyshime për varësi dhe konflikt interesi për një zyrtar të lartë policie.
