Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se hyrja e droneve të Rusisë në hapësirën ajrore të Polonisë ishte një akt i qëllimshëm, duke e krahasuar atë me taktikat e përdorura gjatë aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Duke folur me gazetarët në Kiev, Zelensky theksoi se incidenti në Poloni nuk ishte “një aksident”, por një “provë”, duke përmendur automjetet dhe ushtarët pa shenja dalluese që Rusia përdori në aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë.

“Sot, të njëjtin rol po e luajnë dronët rusë që kalojnë kufijtë. Retorika është e njëjtë, rreziku është i njëjtë”, tha ai.

Zelensky nënvizoi se sistemet e kushtueshme si Patriot dhe SAMP/T nuk janë një zgjidhje e qëndrueshme kundër dronëve të lirë Shahed të prodhuar në Iran.

“Një raketë interceptuese Patriot kushton 2-3 milionë dollarë, ndërsa një dron kushton deri në 100,000 dollarë. Kur Rusia lëshon 500-800 dronë në ditë, përdorimi i raketave të tilla kundër tyre thjesht nuk është një zgjidhje”, tha ai, duke bërë thirrje për një qasje të shtresuar dhe me kosto efektive.

Ai tha se Ukraina ka ndërtuar një mbrojtje ajrore unike që kombinon grupe zjarri të lëvizshme, dronë interceptues, aviacion, helikopterë dhe luftë elektronike, duke shtuar: “Ne jemi të gatshëm ta ndajmë këtë përvojë me partnerët tanë polakë dhe partnerët e tjerë evropianë. Kjo duhet të jetë një përpjekje e përbashkët, në mënyrë që çdo komb të mund të mbrojë popullin e vet.”

Presidenti ukrainas vuri në dukje gjithashtu se gjatë javës së ardhshme të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kievi do të organizojë dy ngjarje të mëdha: samitin e Platformës Ndërkombëtare të Krimesë në nivel udhëheqësish dhe, së bashku me Kryeministrin e Kanadasë Mark Carney, një takim të nivelit të lartë mbi fëmijët e rrëmbyer nga Rusia.

Rusia kohët e fundit ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, ndërsa incidentet që përfshijnë dronë që kalojnë në hapësirën ajrore të anëtarëve të NATO-s kanë ngritur shqetësime për përshkallëzim të mëtejshëm.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb