Një ditë më parë, 2 biznesmenët e njohur Sinan Idrizi dhe Refik Halili u denoncuan për dhunë. Ishte gazetari investigativ i emisionit Piranjat, Edon Kuqi ai që i akuzoi ata se e kishin shtyrë dhe goditur teksa ai po kryente detyrën. Piranjat publikuan edhe pamje ku biznesmenët të ndihmuar edhe nga persona të tjerë godasin gazetarin.

 

Edon Kuqi iu drejtua biznesmenit, pronar i kompanisë ajrore “Air Albania” për ta pyetur se pse kishte larguar nga puna 2 sanitare te kompania e tij dhe nuk iu kishte paguar as sigurimet shoqërore. Në vend të përgjigjeve, Sinan Idrizi, president edhe i ekipit Flamurtari dhe Refik Halili i ekipit të futbollit, Tirana, e shtyjnë gazetarin.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar deputeti i PD, Luçiano Boçi përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ligjvënësi demokrat shprehet sulmet ndaj medias dhe gazetarëve janë strategji e promovuar nga qeveria dhe kryeministri, për të izoluar zërat kritikë.

“Dhunuesit janë “biznesmenë” të oborrit të Ramës, të profilit “të paprekshëm” nga shteti alias ligji, Sinan Idrizi dhe Refik Halili. Arroganca e tyre dhe sjellja brutale me gazetarët buron nga ajo e vetë pushtetit. Merre me mend”, shprehet Boçi.

Postimi i deputetit Luciano Boçi:

Sinani i “LASGUSHIT” dhe “ISMAILIT” që dhunon gazetarët. Një tjetër sulm i radhës është realizuar sot.

Objekt ishin gazetarët e “Piranjave”, emisionit të njohur investigativ. Këtu asgjë nuk është e rastit. Dhunuesit janë “biznesmenë” të oborrit të Ramës, të profilit “të paprekshëm” nga shteti alias ligji, Sinan Idrizi dhe Refik Halili. Arroganca e tyre dhe sjellja brutale me gazetarët buron nga ajo e vetë pushtetit. Merre me mend.

Ai, Sinani, që gjoja ka avionët me emrat impresionues të njerëzve të fjalës së lirë “Lasgushi”, “Ismaili”, del e dhunon njerëzit e fjalës. Paradoksi i autokracive ky!!! Ngjarja nxjerr në pah situatën dramatike të gazetarëve e gazetarisë në Shqipëri, duke e bërë gazetarinë e vërtetë një profesion të rrezikshëm. Megjithëse Rama sot kontrollon me para e benefite 90% të hapësirës publike, kërkon me çdo kusht të atrofizojë me çdo kusht e me sulme brutale çdo zbulesë së të vërtetave dramatike të jetës e politikës shqiptare. Kështu veproi me News24.

Kështu bëjnë “biznesmenët” e “jesmemët” e tij me gazetarët investigativë. Sulmi shfaq njëherazi pamjen e vërtetë të një sekti i cili i alarmuar nga e vërteta kërkon të shpallë kriminelë të fjalës me kod penal gazetarët dhe jo dhunuesit e fjalës.

Ndërkohë që Shqipëria ka nevojë urgjente për të dënuar krimin ndaj fjalës së lirë. Askush mos ketë iluzion se porta e BE do hapet duke rrahur gazetarë e mbyllur media!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb