Sekretari i SHBA-sw, Marco Rubio, pritet të diskutojë gjatë udhëtimit të tij në Izrael mundësinë e aneksimit nga Izraeli të pjesëve të Bregut Perëndimor të pushtuar, në përgjigje të njohjes së planifikuar të Shtetit të Palestinës nga disa vende perëndimore më vonë këtë muaj, thanë zyrtarë izraelitë dhe amerikanë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka vendosur ende nëse do të vazhdojë me aneksimin. Më parë, ai dëshiron të dijë në takimin e tij me Rubion nëse presidenti Trump do ta mbështeste aneksimin, tha një zyrtar izraelit.

Dy zyrtarë izraelitë thanë se Rubio ka lënë të kuptohet në takime private se nuk kundërshton aneksimet e Bregut Perëndimor dhe se administrata Trump nuk do të qëndrojë pengesë.

Megjithatë, qëllimi i Izraelit shkaktoi shqetësim brenda administratës Trump, pasi nuk kishte një qëndrim të qartë të SHBA-së për këtë çështje dhe kishte një ndjesi se qeveria izraelite po përpiqej ta vinte në qoshe administratën Trump, tha një zyrtar amerikan.

Ditët e fundit, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit janë mbajtur disa takime të brendshme mbi këtë çështje, me qëllim që të vendoset për një linjë qëndrimi mbi çështjen që nuk do ta linte qëndrimin amerikan të hapur për interpretim.

Shqetësimi kryesor i shprehur nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Shtetit në ato takime ishte se aneksimi i pjesëve të Bregut Perëndimor nga Izraeli do të çonte në rrëzimin e Marrëveshjeve të Abrahamit dhe do të njolloste trashëgiminë e Trump, tha një zyrtar amerikan.

“Shtëpia e Bardhë është padyshim e angazhuar në një sërë diskutimesh politike që lidhen me Lindjen e Mesme. Ne nuk komentojmë për takime të brendshme që mund të kenë ndodhur ose jo”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Lidhur me Izraelin, një zyrtar i lartë izraelit tha se Netanyahu dëshiron të nxjerrë informacion nga Rubio se sa hapësirë ​​janë të gatshme t’i japin SHBA-të Izraelit në lidhje me reagimin e tij ndaj njohjes së një shteti palestinez nga bashkësia ndërkombëtare, dhe veçanërisht për çështjen e aneksimit të Bregut Perëndimor.

Nga ana e tyre, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë paralajmëruar administratën Trump dhe qeverinë izraelite se aneksimi i Bregut Perëndimor do të dëmtonte ndjeshëm traktatin e paqes Emiratet e Bashkuara Arabe-Izrael dhe marrëveshjet më të gjera, si dhe do të minonte shpresat e presidentit për t’i zgjeruar ato.

Vërehet se shumica e bashkësisë ndërkombëtare e konsideron Bregun Perëndimor si territor të pushtuar dhe do ta konsideronte çdo aneksim izraelit të paligjshëm dhe nxitës.

Një burim me njohuri për çështjen tha se Emiratet e Bashkuara Arabe ia përsëritën qëndrimin e tyre Departamentit të Shtetit përpara udhëtimit të Rubios në Izrael.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të premten e kaluar miratoi “Deklaratën e Nju Jorkut” të paraqitur nga Franca dhe Arabia Saudite, e cila bën thirrje për një rrugë të pakthyeshme drejt një shteti palestinez.

142 vende votuan në favor të deklaratës, 10 votuan kundër, përfshirë SHBA-në dhe Izraelin, dhe 12 vende abstenuan.

Parimet e deklaratës do të formojnë termat kryesore të referencës për samitin e liderëve që mbështesin zgjidhjen me dy shtete, i cili do të zhvillohet më 22 shtator në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe disa vende të tjera pritet të njoftojnë njohjen e Palestinës gjatë Samitit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb