Emiri i Katarit lëshoi sot një kritikë të ashpër kundër Izraelit, duke akuzuar qeverinë izraelite se po përpiqet të prishë negociatat e armëpushimit në Rripin e Gazës, me sulmin izraelit ndaj anëtarëve të lartë të Hamasit më 9 shtator në Doha.
“Kushdo që punon me këmbëngulje dhe metodikë për të vrarë palën me të cilën po negocion, synon të prishë negociatat”, tha Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, në fillim të samitit arabo-islamik në Doha.
Ai sulmoi gjithashtu kryeministrin izraelit, duke akuzuar Benjamin Netanyahun se “ëndërron që rajoni arab të bëhet një sferë e ndikimit izraelit”. “Dhe ky është një iluzion i rrezikshëm”, theksoi al-Thani.
Më herët sot, Netanyahu tha se nuk përjashton sulme të mëtejshme kundër udhëheqësve të Hamasit “kudo që të jenë ata”.
Samiti i jashtëzakonshëm arabo-islamik i organizuar nga Doha vjen pas një sulmi të paprecedentë izraelit ndaj anëtarëve të ekipit negociator të Hamasit në Doha javën e kaluar. Sipas lëvizjes palestineze, anëtarë të lartë të Hamasit i mbijetuan sulmit izraelit.
Ndërkohë, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i cili po viziton Izraelin, do të udhëtojë nesër për në Katar, tha sot një zyrtar amerikan.
Rubio, i cili diskutoi për Katarin të hënën me Kryeministrin Netanyahu në Jerusalem, do të vizitojë vendin e Gjirit përpara se të shkojë në Londër, ku do të shoqërojë Presidentin Donald Trump në një vizitë zyrtare, tha zyrtari.
Vizita e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së në Izrael vjen mes tensioneve me vendet mike të SHBA-së në Lindjen e Mesme për shkak të sulmit izraelit që synonte udhëheqësit e Hamasit në Katar dhe zgjerimin e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Trump e kishte kritikuar Izraelin për sulmin e 11 shtatorit. Megjithatë, sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Netanyahu deklaroi se Izraeli dhe SHBA-të do të vazhdojnë të veprojnë së bashku për mbrojtjen e tyre, me Rubion që u zotua se Uashingtoni do t’i ofrojë “mbështetje të palëkundur” Izraelit për të arritur qëllimet e tij në Rripin e Gazës.
