Ushtria izraelite ka filluar një ofensivë tokësore të përmasave të mëdha në Qytetin e Gazës, njoftoi faqja e lajmeve Axios, duke cituar burime pranë qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Sipas Jerusalem Post, tanket e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tashmë kanë hyrë në zemër të qytetit, pas disa javësh bombardimesh intensive.

Operacioni tokësor vjen pas një fushate të zgjatur sulmesh ajrore që kanë shkatërruar ndërtesa të shumta dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën e qytetit. IDF kishte përshkallëzuar veprimet në ditët e fundit, por deri tani kishte shmangur një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zonën urbane të Gazës, ku besohet se strehohen qindra mijëra civilë palestinezë.

Sipas ushtrisë izraelite, rreth 300,000 palestinezë janë zhvendosur nga Qyteti i Gazës gjatë javëve të fundit, megjithëse shumë të tjerë kanë mbetur në vend për shkak të pasigurisë në pjesët e tjera të Rripit të Gazës.

Dëshmitarë okularë raportojnë për bombardime të rënda dhe të pandërprera në orët e para të së martës. Ahmed Ghazal, një banor i qytetit, tha për AFP se shumë shtëpi janë shkatërruar dhe banorët janë bllokuar nën rrënoja. Mahmoud Bassal, zëdhënës i Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës, konfirmoi se “numri i viktimave po rritet me shpejtësi”.

“Gaza po digjet. Ushtria po godet infrastrukturën terroriste me grusht të hekurt dhe ushtarët tanë po luftojnë me trimëri për të liruar pengjet dhe për të mposhtur Hamasin. Ne nuk do të tërhiqemi derisa misioni të përfundojë.”, deklaroi Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, në platformën X.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb