Parlamenti Europian do të monitorojë me vëmendje zbatimin e reformave të Shqipërisë pasi procesi i integrimit është në rrezik. Ky ishte konkluzioni që nxori grupi i eurodeputetëtve që vizituan Shqipërinë dhe Malin e Zi me synim monitorimin e menaxhimit të fondeve të BE si vende kandidate. Eurodeputeti i grupit të partive popullore europiane Tomas Zdechovsky tha se problematikë mbetet shqetësimi si përdoren fondet.
“Sfidat janë korrupsioni, presioni politik ndaj organeve mbikëqyrëse, keqpërdorim të fondeve. Ne jemi te bindur se gjate 2-3 viteve të ardhshme Shqiperia dhe Mali i Zi do të japin rezultate te prekshme. Parlamenti Europian do të monitorojë me shumë vëmendje zbatimin e tyre sepse kredibiliteti i procesit të zgjerimit të BE në diskutim është në rrezik”, tha ai.
Eurodeputetët bënë të ditur se për rastet konkretet të shpërdorimit të fondeve të BE-së kanë diskutuar edhe me Prokurorinë e Posaçme.
“Në histori ka shumë probleme me shpenzimin e parasë europiane. Procesi i implementimit dhe shumë rekomandimeve nga BE nuk ishin të themi marrë seriozisht nga ana e qeverisë shqiptare dhe ne pamë një progres përsa i përket implementimit të rregullave të reja dhe infrastrukturës kundër mashtrimit dhe po ashtu na interesojnë rastet që janë në zhvillim e sipër dhe kemi folur me prokurorinë e posaçme dhe kemi diskutuar për rastet konkrete”, shtoi ai.
Eurodeputetët theksuan rëndësinë e lirisë së medias për hetimin e rasteve të korrupsionit që ndërlidhen me politikën.
“Nëse luftoni për demokracinë do të keni liri të medias dhe do të keni gazetarë që do të hetojnë rastet e mashtrimeve që do ndërlidhen me politikën. Ne jemi politikanë dhe ne si të tillë jemi nën presion të medias sepse ato përkujdesen për punën tonë në një transparencë të madhe”, tha ai.
Eurodeputetët u takuan në Tiranë me përfaqësues të Ministrisë së Financave, Kryetarin e Kontrollit të Lartë tëe Shtetit, Drejtorin e Agjencisë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – prokuroret e SPAK-ut, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
