Anëtarja e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali deklaroi se opozita ishte pro pranisë së Erion Veliajt në mbledhjen e sotme, për t’u dëgjuar pak para shkarkimit të tij.
Në programin e drekës në ‘News24’ përballë moderatores Ola Bruko, Zhulali theksoi se refuzimi i kërkesës së tij ishte i njëanshëm, vetëm me votat e PS-së. Sipas saj, sot Veliaj do të shkarkohet me urdhër të Ramës.
“Veliaj duhet të marrë pjesë në mbledhjen Këshillit Bashkiak. Ai ka bërë një kërkesë për të qenë pjesë. Kërkesa e zotit Veliaj nuk ka mbërritur kurrë në Këshillin Bashkiak, por ne jemi njohur me të përmes mediave. Ndaj do të jetë një votim i njëanshëm. Kjo gjë mund t’i shërbejë dhe nesër Veliajt për ta përdorur në gjykatë. Ky është një dëm financiar për qytetarët e Tiranës, pasi do të duhet të shpërblejmë zotin Veliaj për heqjen e tij në mënyrë të padrejtë (Duke mos respektuar ligjin). Ai e ka për detyrë që të shprehet në Këshillin Bashkiak, por dhe të dëgjojë se pse shkarkimi i tij është i vonuar. Sot është një ditë që kurorëzon një aksion, siç është shkarkimi. Ne kemi bërë denoncim për inceneratorin fantazmë të Tiranës. Ai ka sjellë dëme të mëdha financiare në dëm të qytetarëve të Tiranës. Veliaj ka bërë jo vetëm një dëm financiar, por na ka lënë pas dhe një krim mjedisor. Veliaj do të shkarkohet me urdhër të Ramës.”, tha ajo.
