SPAK ka marrë të pandehur 7 persona për shkelje të barazisë në tendera së bashku me Erion Isain, kryebashkiakun e Kolonjës.

Burime bëjnë me dije se janë dy procedura tenderuese, një për ndërtimin e një ujësjellësi ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me një projekt të falsifikuar për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë.

Për këtë çështje, SPAK është duke vijuar hetimet edhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.

Ndërkohë po të njëjtat burime sqarojnë se në sitën e  SPAK janë duke kaluar disa procedura tenderash.

Pas hetimeve të kryera mbi tenderat e shpallur nga Bashkia Kolonjë, është rezultuar se shumica e tyre janë të parapara, me një ndarje tenderash që duket të jetë e paracaktuar.

Po ashtu, raportohet se punimet e realizuara për këto tendera nuk janë përfunduar as me cilësinë e duhur, as sipas projekteve të miratuara nga Autoriteti Kontraktor.

Një rast konkret që përmendet është ai i rikonstruksionit të digës së Rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtimi i pritave malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjë, gjatë vitit 2023. Dyshimet janë se punimet nuk janë kryer siç duhet, duke sjellë pasoja për cilësinë dhe standardet e punimeve publike në këtë zonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb