Dinamo ka zhvilluar pasditen e djeshme stërvitjen e parë në kuadër të ndeshjes ndaj Tiranës. për herë të parë këtë sezon, blutë kanë qenë të plotë nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja, i cili në ndeshjen ndaj Tiranës do të ketë luksin që të zgjedhë për të vendosur formacionin që do të hedhë në fushë, ashtu si edhe rezervat që mund ta nisin më vonë.

Në stërvitjen e djeshme, me grupin u stërvitën Saliu Guindo që ka lënë pas dëmtimin si edhe Bekim Maliqi. Mbrojtësi u largua i dëmtuar në ndeshjen ndaj Bylisit, megjithatë pas vizitave që ka kryer, ka rezultuar se nuk ka asgjë serioze dhe se ka qenë vetëm një kontraktim i momentit, gjë e cila ka kaluar dhe Maliqi do të jetë i gatshëm për bardheblutë.

Sakaq, në këtë ndeshje do të jetë edhe Nani, që ndeshjen e fundit ishte i pezulluar për shkak të kartonit të kuq. Në ndeshjen ndaj Tiranës, Dinamo do të synojë patjetër vetëm fitoren pasi një tjetër rezultat negativ, do të ishte dramë për blutë, duke parë se këtë sezon kanë marrë vetëm 1 fitore në 4 javët e para të kampionatit.

Ndërkohë Daja mund të ndihet më i qetë edhe për shkak të kalendarit sepse do të ketë më shumë kohë për të përgatitur ndeshjet, ndryshe nga java e fundit kur në harkun kohor të 8 ditëve, zhvilloi 3 ndeshje pasi në mesjavë u zhvillua ndeshja e prapambetur ndaj Teutës, të cilën Dinamo e humbi me rezultatin 1-0.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb