Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar nga drejtësia, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën finalizuan me sukses ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit Kristjan Lulaj, 26 vjeç, lindur në Shkodër.
Kristjan Lulaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur më 2 prill 2024, në fshatin Baks të Velipojës, ku ai akuzohet se plagosi me armë zjarri shtetasin E. P. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe është cilësuar si tentativë për vrasje me paramendim.
Mbi 26-vjeçarin rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Gjykata e Shkodrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” në maj të vitit 2025.
Operacioni i ekstradimit u realizua në kuadër të nismës ndërkombëtare “The Wanted”, që ka për qëllim lokalizimin dhe kthimin në vendet e tyre të origjinës të shtetasve të kërkuar për vepra të rënda penale.
