Policia malazeze dhe Prokuroria në Rozhajë janë duke hetuar dy incidente në kufirin mes Malit të Zi dhe Kosovës – një në korrik të vitit të kaluar dhe një tjetër më 24 gusht të këtij viti – kur u dëmtuan objektet e qendrës së skijimit Hajlla-Shtedim nga të shtëna me armë zjarri.

Në të dyja rastet, Policia dhe Prokuroria dyshojnë se të shtënat janë kryer nga territori i Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Rozhajë, Aldin Kallaç.

Objektet e qendrës së skijimit, që ndodhen pranë kufirit kosovaro-malazez në territorin e Rozhajës dhe janë ende në ndërtim e sipër, po ruhen nga Policia që nga korriku.

Prokuroria në Rozhajë kishte hapur tashmë një rast për incidentin e korrikut të vitit 2024, kur në objektin e teleferikut u gjetën vrima plumbash. Pas gjetjes së dëmtimeve të reja në teleferik në fund të gushtit të këtij viti, Prokuroria i ka kërkuar Policisë të mbledhë të dhëna për të hapur rast edhe për këtë incident.

“Drejt fundit të gushtit janë vërejtur tri dëmtime në kabinën e qendrës së skijimit nga armë zjarri. Policia ka ndërmarrë veprime për t’i zbuluar autorët, por rrethanë rënduese mbetet fakti se veprimi është kryer nga territori i Republikës së Kosovës”, tha Kallaç.

Ai shtoi se Policia është ende duke mbledhur informacione dhe se është kërkuar bashkëpunim edhe nga Policia e Kosovës. Fadil Gashi nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka asnjë informacion për incidente të sigurisë në kufirin me Malin e Zi, duke theksuar se policia rajonale është më shumë e angazhuar “për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, e jo për incidente ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe drejtorisë qendrore të Policisë së Kosovës me pyetjen nëse kanë ndonjë informacion lidhur me rastin dhe është në pritje të përgjigjes. Për të njëjtën çështje, përgjigje pritet edhe nga Qeveria e Kosovës.

Nga ana tjetër, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, i tha Radios Evropa e Lirë se mban kontakte me autoritetet lokale në Rozhajë, konkretisht me kryetarin Rahman Husoviq, por se askush nuk e ka informuar për këto dyshime apo për incidentet e ndodhura.

“Tani po e dëgjoj nga ju. Askush nuk më ka kontaktuar, askush nuk ka raportuar asgjë. Kryetarin e Rozhajës e kam parë për herë të fundit në qershor, por nuk kam marrë asnjë ankesë. Para shtatë-tetë ditësh kam qenë në Plavë, mund të më thoshin diçka, por askush nuk më ka thënë asgjë”, tha ai.

Në seancën e Kuvendit Komunal të Rozhajës, të mbajtur më 18 shtator, shefi i Departamentit të Sigurisë në këtë komunë, Vlladimir Delleviq, ka deklaruar se në qendrën e ardhshme të skijimit Hajlla-Shtedim janë regjistruar disa incidente, përfshirë një më i rëndë më 24 gusht të këtij viti.

Ai ka konfirmuar se incidente kishte pasur edhe në korrik të vitit të kaluar dhe se që nga 9 korriku i këtij viti, Policia po e ruan qendrën e skijimit 24 orë në ditë, pasi kishin “informacione operative se e gjithë infrastruktura mund të rrezikohej”.

“Incidenti ka ndodhur më 24 korrik 2024, kur nga territori i shtetit fqinj u përdor armë zjarri dhe u dëmtua konstrukti metalik pranë portës së sipërme të qendrës së skijimit në ndërtim e sipër”, tha Delleviq.

Për incidentin e 24 gushtit të këtij viti, ai shtoi se rasti “mund ta tejkalojë kuadrin e një incidenti të sigurisë dhe të ngrihet në nivel diplomatik”.

“Sapo është përpiluar një raport për këtë dhe është dorëzuar te drejtori. Ai dhe ministri i Punëve të Brendshme do t’i drejtohen Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila do të marrë masa… të cilat nuk i di”, tha Delleviq.

Për incidentin e vitit të kaluar opinioni publik nuk ishte njoftuar, po ashtu as për ruajtjen e qendrës nga Policia që prej korrikut të këtij viti, dhe as për incidentin e gushtit të fundit.

Ministritë e Punëve të Brendshme dhe të Jashtme, si dhe Drejtoria e Policisë, nuk janë prononcuar për këtë çështje. Radio Evropa e Lirë u ka dërguar pyetje të gjitha këtyre institucioneve./REL

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb