Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka konfirmuar se po heton kërcënimet ndaj Presidentes Vjosa Osmani, të cilat ajo i bëri publike në një konferencë për media. Ajo kritikoi ashpër institucionet e drejtësisë për mungesën e reagimit ndaj këtyre kërcënimeve, duke thënë se përkundër dhjetëra mesazheve kërcënuese – për vrasje, dëbim dhe dhunim të fëmijëve të saj – nuk është marrë asnjë masë.
“Është hera e vetme në historinë e institucioneve të Kosovës që drejtësia nuk ka ndërmarrë asgjë. Zero. Dhe duhet të pyesni në favor të kujt shkon kjo,” deklaroi Osmani.
Prokuroria e ka mohuar këtë, duke thënë për televizionin Dukagjini se janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme. Sipas tyre, njësi të specializuara nga Krimet e Rënda dhe Krimet Kibernetike janë angazhuar për hetimin e rastit, por për shkak të fazës hetimore, nuk jepen detaje të mëtejshme.
Ndërkohë, reagime ka pasur edhe nga shoqëria civile. Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kritikoi mënyrën e komunikimit të Presidentes, duke theksuar se deklaratat politike përmes mediave nuk ndihmojnë bashkëpunimin institucional dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në drejtësi.
Më herët, Presidenca kishte publikuar disa e-maile kërcënuese, por ende nuk ka raportime për ndonjë të ndaluar apo të dyshuar lidhur me to.
