Katër persona nga e njëjta familje, përfshirë dy fëmijë të mitur, humbën jetën mbrëmjen e kaluar pas një sulmi me dron nga forcat ruse në rajonin verilindor të Ukrainës, njoftuan autoritetet lokale.
Sipas një deklarate të Oleg Grygorov, kreut të administratës ushtarake rajonale në Sumy, sulmi ndodhi në fshatin Chernechchyna, pjesë e komunitetit Krasnopillia.
“Armiku shënjestroi një ndërtesë banimi,” shkroi Grygorov në Telegram. “Ekipet e shpëtimit nxorën trupat e katër personave që humbën jetën nën rrënoja: prindërit dhe fëmijët e tyre të moshës gjashtë dhe katër vjeç.”
Ky është një nga sulmet më të rënda ndaj civilëve në këtë rajon gjatë javëve të fundit dhe vjen mes një vale të re tensioni dhe intensifikimi të luftimeve në lindje të Ukrainës.
Autoritetet ukrainase kanë dënuar ashpër sulmin, duke e quajtur atë një “krim lufte” dhe duke bërë thirrje për rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë.
