Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve u shoqërua nga debatet mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës. Opozita parashtroi kërkesën e saj për debat në lidhje me programin qeverisës, i miratuar 2 javë më parë mes tensioneve dhe përplasjeve në Kuvend.

Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi numri 2 i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka deklaruar se mazhoranca po e kthen Parlamentin në një sallë njoftimesh. “Ka një muaj që mblidhemi këtu e vendosim sesi të mos bëjmë parlament, se si të mos flasim! E keni shndërruar Kuvendin në një sallë lajmërimesh, si kasnec! Flasim vetëm për procesverbale e njoftime, asnjë debat! Ju keni frikë nga fjala”, tha Gjekmarkaj.

Pjesë nga fjala e nënkryetarit të PD

“Ju mbase nuk e dini, por njerëzimi ka konsumuar mijëra vjet për të bërë kalimin nga tingulli tek fjala, dhe fjala bëri ndryshimin e madh tek njeriu i andertalit. Qesh Ulsi se nuk e di, i duket habi, po nejse! Në mesjetë dënimi më i madh ishte kur gjuhën ia vendosnin në tryezë dhe e mbërthenin me gozhdë. Sepse fjala prishte shumë punë!

Ka një muaj që mblidhemi këtu e vendosim sesi të mos bëjmë parlament, se si të mos flasim! E keni shndërruar Kuvendin në një sallë lajmërimesh, si kasnec! Flasim vetëm për procesverbale e njoftime, asnjë debat! Ju keni frikë nga fjala!

Tani ju keni shpallur këtë moton “Shqipëria 2030 në Europë”! Bukur shumë, përballë ka disa kalorës të rrugëtimit Europian!

Ju nuk po u jepni mundësi të rrëfejnë cilin zabel kaloi Taulanti, a patën tagji kuajt e Ulsiut, në cilin han fjeti Toni rrugës për në Europë! Pra kalorësit po udhëtojnë nëpër natë!

Ju po u mohoni të drejtën e rrëfimit!

Ju vetë si kryetar nuk po kaloni një ditë në atë karrige duke drejtuar debat politik!

Por drama më e madhe e juaj do të jetë se do harroni të flisni. Kur të ktheheni tek njerëzit do jeni si njerëzit e lashtë, do ktheheni tek tingulli! Qesh Ulsiu, i duket qyfyrë!

Do harroni, si mijëra vjet më parë, që tingullin ta përktheni në fjalë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb