NGA SONILA MUSAJ

TIRANE- Fundmarsi, pikërisht data 31 mars e vitit 2001, do të ishte dita më e hidhur e jetës për Vladimir Laskën. Atë ditë ai ndodhej te një i afërmi i tij kur shtëpinë e rrethojnë forcat e policisë së komisariatit Pukë. Askush nuk e dinte arsyen e ardhjes së oficerëve të policisë. Ishin oficerët ata që u thonë Vladimirit dhe mikut të tij që duhet të ballafaqohen me një person që e kanë grabitur dhe dyshoheshin që autorët mund të ishin Vladimiri dhe miku i tij. Vladimiri tregon se të qetë hipën në furgonin e policisë, pasi nuk kishin lidhje me atë ngjarje dhe ishin të pastër.

Por qëndrimi në komisariat nuk do zgjaste pak për Vladimirin, pasi aty ai mëson se akuzohet për “vjedhje me armë”, kryer në bashkëpunim. I vetëm përballë drejtësisë ky i ri ndihej i pafuqishëm, pasi po akuzohej për një krim që nuk e kishte kryer. Më datë 7.09.2002, Vladimiri u dënua me 13 vite heqje lirie nga Gjykata e shkallës së parë Pukë. E apeloi çështjen dhe Gjykata e Apelit Shkodër la në fuqi vendimin e shkallës së parë Pukë. Po në vitin 2002, Vladimiri e ankimoi çështjen në Gjykatë të Lartë, dhe kjo e fundit nuk e pranoi rekursin. Sigurisht që nuk e la me kaq; çështjen e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese me shpresën se do ndryshonte diçka, por edhe kjo gjykatë në vitin 2004 nuk e pranoi kërkesën e këtij të riu, për tejkalim afatesh.

I shfrytëzoi të gjitha mundësitë që kishte dhe nuk kishte çfarë të bënte më, e ishte i detyruar të kryente dënimin, një dënim që nuk e meritonte, pasi ishte i bindur në pafajësinë e tij. Por teksa ditët kalonin, dikush në burg i thotë që të mos i humbasë shpresat pasi kishte edhe një mundësi, dhe kjo ishte Gjykata e Strasburgut. Në mars të vitit 2004 i dorëzon të gjitha dokumentet, me shpresën se e drejta do të vihej në vend. Vitet kalonin. Pasi bëri 8 vjet e 8 muaj, Vladimiri lirohet me kusht në vitin 2010 nga Gjykata e shkallës së parë Burrel. Ishte data 22 mars e vitit 2010, dhe atë ditë, përveç një gëzimi që kishte në familje, Vladimiri merr edhe një tjetër lajm.

Kësaj here lajmi vinte nga Strasburgu… Në ato letra thuhej se provat që e kishin lënë pas hekurave nuk vërtetonin fajësinë e tij dhe kjo gjykatë e rikthen çështjen për rigjykim ose rihetim, sipas aplikantit. Çështja u rikthye për gjykim në Gjykatën e Lartë, dhe kjo e fundit e dërgoi për rigjykim në Gjykatën e Apelit Shkodër. Kjo e fundit, më datë 17 qershor 2013 e pushoi çështjen për mungesë provash. Tani ishte i lirë dhe kishte të drejtën e gjithë botës që të kërkonte dëmshpërblim, pasi vuajti 3.250 dite burg. I ka numëruar çdo ditë, dhe sot kur e pyet, Vladimiri tregon se “numëroja çdo ditë të zezë timen dhe prisja lirinë që ma mohuan padrejtësisht”.

Vladimiri kërkoi dëmshpërblim dhe Gjykata Administrative në Shkodër më 16 mars 2016 vendosi si dëmshpërblim për të 56 milionë e 600 mijë lekë të vjetra. Vladimiri sot nuk ka marrë asnjë qindarkë, edhe pse kreu një dënim prej gati 9 vitesh. Ai tregon se shuma që iu caktua nga gjykata është qesharake, pasi tij, sipas përllogaritjeve, i takojnë gati 109 milionë lekë. Sot çështja është në gjykatë dhe ky i ri kërkon vetëm atë që i takon, asgjë më shumë, pasi ka bërë 3.250 ditë burg padrejtësisht. Ndaj ai apelon që të marrë atë që i takon, edhe pse nuk ka të paguar, pasi rinia e tij iku burgjeve për një vepër që s’e kreu kurrë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: