Sorin Oprescu, ish-kryetar i Bashkisë së Bukureshtit, është arrestuar në aeroportin ndërkombëtar “Maqedonia” të Selanikut, në zbatim të një urdhër-arresti europian të lëshuar nga autoritetet rumune.
Sipas burimeve nga policia greke, autoritetet e Rumanisë kërkojnë ekstradimin e 74-vjeçarit për të vuajtur një dënim të dhënë për vepra penale të rënda, përfshirë pjesëmarrjen në organizatë kriminale, marrjen e ryshfetit dhe pastrimin e parave.
Arrestimi u realizua në një hapësirë të jashtme të aeroportit të Selanikut gjatë pasdites së së shtunës. Aktualisht, Oprescu ndodhet në paraburgim dhe të hënën do të paraqitet në Prokurorinë e Apelit të Selanikut, ku do të nisin procedurat për shqyrtimin e kërkesës së ekstradimit të paraqitur nga autoritetet rumune.
