Publikohen pamjet e momentit, kur 31-vjeçari Imer Krrashi i ikën policisë.

Nga pamjet shihet se si disa metra më tej, në tentativë arratisje, Krrashi përplas 9 makina dhe 1 motor.

“Ec, ec, bllokoje”, dëgjohen zërat e policisë teksa ndjekin 31-vjeçarin.

Në njoftimin zyrtar të policisë, thuhet se në rrugë operative kishte marrë njoftim që një automjet po lëvizte në unazë, në drejtim të TEG-ut, dhe drejtuesi i automjetit mund të ishte i armatosur.

“Rreth orës 12:30, tek Liqeni i Thatë, Forca e Posaçme “Shqiponja” i ka bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. K., 31 vjeç, pasi kishin marrë informacion se 31-vjeçari qarkullonte me armë zjarri.

Pas ndalimit të automjetit të dyshuar, shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur drejtuesit të automjetit se ndaj tij dhe automjetit do të ushtrohej kontroll.

Në momentin që drejtuesi i automjetit është njohur me urdhrin e Policisë, ka refuzuar urdhrin për kontroll dhe është larguar me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar punonjësit e Policisë që ishin duke komunikuar me të”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb