Plani presidentit amerikan Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës duket se ka shkaktuar përçarje brenda qeverisë së Netanyahut në Izrael.
Ndërsa Trump po ushtron presion për përfundimin e luftës, Netanyahu ka pranuar propozimin amerikan, por tani po përballet me kundërshtimin e aleatëve të tij ultra-nacionalistë në qeveri.
Sipas mediave lokale, kjo situate mund të çojë Izraelin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Plani amerikan me 20 pika parashikon çmilitarizimin e Gazës dhe përjashton çdo rol për Hamasin.
Megjithatë, ai lejon që anëtarët e Hamasit të qëndrojnë në territor, nëse ata heqin dorë nga dhuna dhe dorëzojnë armët.
Vetë Hamasi ka reaguar pjesërisht pozitivisht, duke deklaruar se është i gatshëm të negociojë për lirimin e pengjeve, ndërsa thekson se dëshiron të marrë pjesë në çdo diskutim për të ardhmen e Gazës.
Ideja që Hamasi mund të mbijetojë politikisht, e aq më tepër të marrë pjesë në negociatat për të ardhmen e Gazës pas lirimit të pengjeve, ka shkaktuar zemërim mes aleatëve në koalicionin qeveritar të Izraelit.
“Ne nuk mund të pranojmë, në asnjë rrethanë, një skenar ku ringjallet një organizatë terroriste që i ka shkaktuar katastrofën më të madhe shtetit të Izraelit,” tha ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.
“Nuk do të jemi pjesë e kësaj qeverie nëse ndodh kjo,” shtoi ai në një postim në rrjetin social X, duke kërcënuar me largim.
Nëse ministrat e ekstremit të djathtë e vlerësojnë se Netanyahu ka bërë shumë lëshime për të përfunduar luftën, atëherë koalicioni qeveritar, më ekstremi në historinë e Izraelit, mund të shpërbëhet një vit para zgjedhjeve të rregullta, të planifikuara për tetor 2026.
Nga ana tjetër, nëse këta ministra këmbëngulin për vazhdimin e luftës, rrezikojnë të përballen me zemërimin e familjeve të pengjeve që mbahen ende nga Hamasi dhe të humbasin më tej mbështetjen e opinionit publik izraelit, i cili është lodhur nga lufta, si dhe të izoloheshin në arenën ndërkombëtare.
