Pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja pasditen e së hënës, kanë reaguar përfaqësues të banorëve që ishin në konflikt pronësie me të.
Një prej tyre, i moshuar me lot në sy, thotë se gjyqtari Kalaja vdiq duke dhënë një vendim në të drejtë të tyre.
Ata kërkojnë dënimin maksimal për Gjon Shkambin dhe nipin e tij, teksa përloten për gjyqtarin Kalaja, duke vënë në dukje se u vra për ta dhe për të vendosur drejtësi, që të mos mbeteshin rrugëve.
Ndërsa shprehin ngushëllimet për familjen Kalaja, ata thonë se do të dëshironin të ishin edhe në varrim. Gjithashtu tregojnë kalvarin 15 vjeçar të gjyqeve, edhe pse për shtëpitë kishin dokumentacione të rregullta.
“Sot ishte gjyqi i Apelit, i fundit, gjyqi na ka dhënë ne të drejtë, tani u bë si u bë… për të gjithë ka qenë vendimi, për të gjithë. Vendimin e mori, janë 30 e ca familje. A më vjen keq për gjyqtarin? Sigurisht, ka vdekur për ne (përlotet). Se është edhe shkodran. Nuk ka vdek për veten, ka vdek pë të drejtën që ka pasur ai dhe për të drejtën tonë dhe s’na la që të na nxirrnin jashtë, se na ka lejuar shteti”, thotë një prej banorëve i përlotur për rastin.
Kurse Shuke Pepniku rrëfen ehe kalvarin e gjatë të vuajtjeve e gjyqeve nga familja Shkambi, duke nënvizuar se mund të kishte qenë edhe burri i saj që të kishte mbetur viktimë në atë sallë. Ajo kërkon dënimin me të gjithë forcën e ligjit të xhaxhait dhe nipit autor.
Rrëfimi i plotë i banores:
“Unë jam Shuke Pepniku, në banesën që jetoj ja kam blerë shtëpinë Gjon Shkambit më 1996, Bashkia ia ka dhënë atij personit më 1993, s’ka nevojë me e çu më gjatë këtë muhabet. Gjon Shkambi e ka shit vetë dhe kemi qenë 15 vite gjyqeve, edhe pse e ka shitur vetë, jemi të rregullt me drita, ujë dokumente etj. Rëndësi ka që jemi shqetësuar shumë për vdekjen e gjyqtarit. Na vjen shumë keq, ngushëllime familjes së tij. Na vjen keq për komshitë që ndodhën aty e u plagosën, mund të ndodhej edhe burri im ay, sepse herën e kaluar bashkë me avokatin por këtë herë nuk shkoi dot sepse kishte disa probleme me fadromën që ka qenë këtu.
Dëshira jonë është me marrë pjesë edhe në varrimin e tij, edhe pse s’na e kishte borxh dhe na ka dhënë vendimin që e di se është i drejtë, jo se është për ne. Gjon Shkambi meriton burg përjetë, bashkë me nipin, për atë që ka bërë, se e ka vrarë ai apo nipi, të dy e kanë bërë.
Është e vështirë me hy brena me armë Gjoni, se si hyri brenda. Me vjen shumë keq për gjyqtarin se i shkoi jeta, edhe për familjen e tij dhe komshinë tonë. Ishalla drejtësia dhe zoti dënojnë Gjon Shkambin se na ka bërë për mos me na dal kush para syve”.
