Në vijim të reagimeve për ngjarjen e sotme në Gjykatën e Apelit ku u qëllua për vdekje gjyqtari Astrit Kalaja, është shprehur dhe institucioni i Avokatit të Popullit.

Në reagimin për mediat, Avokati i Popullit e konsideron ngjarjen nga më të paprecedenta në historinë e drejtësisë shqiptare dhe një alarm i rëndë për shtetin ligjor, për sigurinë publike dhe për shoqërinë tonë.

“Avokati i Popullit shpreh tronditjen e thellë për humbjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe në të njëjtën kohë, ngre me forcë nevojën urgjente për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, në çdo hallkë që ka detyrimin të garantojë jetën dhe integritetin e atyre që i shërbejnë drejtësisë.

Përtej vetë veprimit kriminal të ndodhur sot, kjo ngjarje e rëndë na detyron të kthejmë vështrimin tek rrënjët e një sistemi të mbingarkuar ndër vite, me vakanca të theksuara dhe me një ngarkesë që e ka penguar të funksionojë me eficiencë — jo vetëm në raport me pritshmëritë e qytetarëve, por shpesh edhe nën standardet e periudhës para reformës në drejtësi.

Po aq shqetësuese mbetet kultura e munguar ligjore që shpesh e sheh gjykatën si armik, jo si garanci të së drejtës — dhe diskursi publik që, në vend të argumentit dhe respektit ndaj ligjit, ushqen mosbesimin, përbuzjen dhe agresionin.

Në këtë klimë, drejtësia është e pambrojtur, dhe me të — e pambrojtur mbetet edhe vetë shoqëria.

Drejtësia nuk mund të ushtrohet nën frikë”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb