Analisti Neritan Alibali, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, e ka cilësuar kandidimin e aktorit dhe aktivistit Florjan Binaj për Bashkinë e Tiranës si një zhvillim pozitiv dhe një sinjal të parë për ndryshim nga ana e opozitës.

Sipas Alibalit, mbështetja që Partia Demokratike dhe forcat e tjera opozitare i kanë dhënë një kandidature të pavarur si ajo e Binajt, tregon një pranim të gabimeve të së kaluarës dhe mund të jetë fillimi i një riorientimi të ri politik.

“E konsideroj pozitive. PD ka bërë një mea culpa dhe ka pranuar se ka gabuar më parë. Ky është revolucion, është hapi i parë,” u shpreh Alibali.

Ai analizoi qëndrimin kontradiktor të Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të 11 majit, ku nga njëra anë denonconte manipulimin e procesit, ndërsa nga ana tjetër shprehte qëndrime të dorëzuara ndaj garës elektorale.

“Një parti që thotë se nuk e mund dot Edi Ramën, nuk ka sens që të hyjë në zgjedhje. Një parti politike ndahet nga një OJF sepse synon pushtetin për të zbatuar politikat e veta,” theksoi analisti.

Alibali kujtoi se prej kohësh është kërkuar një figurë gjithpërfshirëse që të përfaqësojë më shumë qytetarët dhe jo vetëm strukturat e partive tradicionale.

“Në këtë studio kemi thënë se duhet një figurë që të përfaqësojë qytetarët, jo vetëm një sigël partie. Unë i besoj kësaj rruge,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb