Ndërsa zgjedhjet lokale të 12 tetorit afrohen, banorët e Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, janë të ndarë mes shpresës dhe skepticizmit.

Disa mezi presin të shohin largimin e kryetarëve shqiptarë nga pushteti; të tjerët nuk presin ndryshime të mëdha: institucionet e mbyllura të Serbisë, thonë ata, nuk do të kthehen më.

Katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi në nëntor të vitit 2022, të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si reagim ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për t’i hequr targat serbe të makinave.

Instalimi i kryetarëve shqiptarë u pasua me protesta të dhunshme nga qytetaët serbë, të cilat rezultuan me dhjetëra njerëz të plagosur – në mesin e tyre edhe ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.

Në prill të vitit 2023, serbët, duke ndjekur udhëzimet e Listës Serbe, nuk morën pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna. Ata bojkotuan edhe votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në prill të vitit 2024.

Gjatë gjithë kësaj kohe, tensionet vazhduan, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të vendosur kontrollin atje.

Situata kulmoi me një sulm të armatosur të një grupi serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023. Përgjegjësinë për kryerjen e tij e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Kosova, në anën tjetër, arriti disa qëllime: hoqi targat serbe, ndaloi përdorimin e dinarit serb dhe mbylli shumicën e institucioneve serbe që funksiononin në veri – në mesin e tyre: posta, banka, autoritete të përkohshme komunale, qendra për punë sociale, ndërmarrje publike e të tjera.

Në vend të atyre serbe, u hapën institucionet, zyrat postare dhe bankat e Kosovës.

Autoritetet lokale morën përsipër ndërtesat ku kishin vepruar institucionet serbe, ndaluan ndërtimet “e paligjshme” të financuara nga Serbia ose paralajmëruan prishjen e vendbanimeve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Gjithashtu, u hapën biznese në pronësi të shqiptarëve, si supermarkete, restorante me ushqime të shpejta dhe pastiçeri, por që u përballën me bojkotim nga komuniteti lokal serb.

Sot, Lista Serbe “numëron mbrapsht” deri në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, për të zëvendësuar kryetarët shqiptarë, të cilët i konsideron si “të paligjshëm”.

Gjatë fushatës, partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e cila vazhdimisht i fitoi zgjedhjet prej se u formua në vitin 2013 – pranoi se ishte gabim të largohej nga institucionet e Kosovës, duke thënë se qëllimi ishte t’ia tërhiqte vëmendjen komunitetit ndërkombëtar për “pozitën e vështirë të serbëve”.

“Sot duhet t’i korrigjojmë ato gabime. Kishim shpresa te komuniteti ndërkombëtar, por nuk morëm asgjë. Mjerim. Asgjë nuk na kuptuan…”, tha Sërgjan Vulloviq, nga Lista Serbe, në një tubim parazgjedhor në Zubin Potok.

Çka presin qytetarët?

Radovani nga Mitrovica e Veriut pret që pas 12 tetorit komuna e tij të udhëhiqet nga serbët dhe se “do të ketë sërish liri”.

“Liria është gjëja më e çmuar dhe pjesa tjetër varet nga populli”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Radovani e konsideron si “mungesë lirie” faktin që komunat në veri të Kosovës udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë, për të cilët thotë se kanë marrë vendime që i kanë dëmtuar serbët.

Ai e kundërshton edhe hapjen e bizneseve shqiptare në Mitrovicë të Veriut.

“Ata mendojnë se janë kryesorët, por nuk janë. E shihni, kanë pushtuar gjysmën e [shëtitores]”, thotë Radovani, duke shtuar se nuk ka asgjë kundër shqiptarëve, por se në veri jeton shumica serbe dhe se ajo duhet t’i marrë vendimet.

Mirosllavi ndan mendim të ngjashëm. Ai nuk shpreson për ndryshime të mëdha, por thotë se është e rëndësishme për të që “këta [kryetarët shqiptarë] të largohen”.

Sllavica, në anën tjetër, nuk pret ndonjë ndryshim pas zgjedhjeve të 12 tetorit, sepse, siç thotë ajo, askush nuk mund t’i kthejë institucionet e mbyllura që funksiononin brenda sistemit serb.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb