Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i dha kryeministrit Sebastien Lecornu, dy ditë kohë që të shpëtojë ekzekutivin, pasi kryeministri dha dorëheqje më pak se një muaj pasi mori këtë detyrë.
Më herët gjatë së hënës, Lecornu dha dorëheqje 14 orë pasi emëroi Qeverinë e tij dhe pritej që pasdite të mbante mbledhjen e parë të kabinetit.
Më pas, Macron mbajti bisedime me Lecornu në mbrëmje dhe i dha dy ditë kohë që të arrijë një plan për “stabilitetin” e shtetit, tha Zyra e Macronit.
Një zyrtar presidencial, që kërkoi të mos identifikohej, tha se Macron i ka ngarkuar Lecornun “të zhvillojë negociatat përfundimtare deri të mërkurën në mbrëmje për të përcaktuar një platformë veprimi dhe stabiliteti për vendin”.
Lecornu shtoi në platformën X se “kam pranuar, me kërkesë të presidentit, të mbaj diskutimet përfundimtare me forcat politike për stabilitetin e vendit. Të mërkurën në mbrëmje do t’i komunikoj kreut të shtetit nëse kjo është e mundur apo jo, në mënyrë që ai të mund të nxjerrë të gjitha përfundimet e nevojshme”.
Macron është “i gatshëm të marrë përgjegjësitë” në rast se diskutimet dështojnë, tha zyrtari presidencial, duke iu referuar mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Lecornus bëhet kryeministri që ka qëndruar më së paku në krye të ekzekutivit në Francën moderne, pasi dha dorëheqje 27 ditë pas emërimit.
