Policia ka dhënë detaje të tjera në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme në Gjykatën e Apelit.
Blutë bëjnë me dije se autori Elvis Shkambi ka qëlluar të parin gjyqtarin, menjëherë pas dhënies së vendimit, ndërsa Kalaja ka ndërruar jetë në vend si pasojë e plagëve të marra.
Më pas autori ka plagosur babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Pasi kreu krimin, ai doli nga salla dhe armën ia ka dorëzuar një nëpunës gjyqësor.
“Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.
Të dy këta shtetas, E. Sh. dhe G. Sh., qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Njëkohësisht, pas këtij veprimi, shtetasi E. Sh. i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi G. Sh. nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit.
Pas ngjarjes, shtetasi E. Sh. ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Autori E. Sh., pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë”, njofton policia.
