Në ceremoninë për prezantimin e transaksioneve në SEPA, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gentjan Sejko ka falenderuar bashkëpunimin me partnerët europianë dhe ndihmën e tyre gjatë kësaj kohe.
Ai e ka quajtur anëtarësimin në SEPA si një gur themeli drejt integrimit të vendit në infrastrukturën financiare europiane.
Sejko shtoi se ky zhvillim i kombinuar me zgjerimin e pagesave dixhitale, pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë euro në vitin e parë, me rritje progresive në vijim.
Për analogji, Guvernatori solli shembullin e sistemit AIPS Euro të Bankës së Shqipërisë, i cili operon që nga janari 2022, i ka kursyer tregut vendas rreth 140 milionë euro. Sipas tij, kjo tregon se ndikimi i SEPA-s do të jetë edhe më i gjerë, duke përfshirë uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit operativ për qytetarët dhe bizneset.
Sejko tha se hyrja në SEPA do të sjellë tarifa shumë më të ulëta: transferimi i parave nga Shqipëria drejt vendeve anëtare të SEPA-s kushton deri në 5 herë më pak se më parë.
“Sot për ne është një ditë e veçantë pasi jemi dëshmitare të një momenti historik për tregun financiar shqiptar, nisjen e transaksionit të parë në euro përmes zonës unike të pagesave në euro të quajtur SEPA. Ky nuk është një zhvillim teknik në sistemet e pagesave, por është një gur themeli në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në infrastrukturën financiare europiane. Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA ka qenë rezultat i një procesi të strukturuar, ku BSH dhe bankat e niveli të dytë dhe institucionet financiare ka punuar më përkushtim për të përmbushur kërkesat teknike, ligjore dhe rregullatore te nevojshme. Sot 11 bankat në Shqipëri janë gati të ofrojnë shërbimet SEPA. Ky moment nuk është fryt i rastësisë, por rezultat i një rrugëtimi shumëvjeçar të BSH dhe institucioneve financiare që kanë punuar hap pas hapi”, tha ai.
