Pas gjashtë javëve të para të kampionatit, Tirana ndodhet në një situatë të vështirë në renditje, por ka fituar derbin me Partizanin dhe ndihen më të lehtësuar.
Bardheblutë renditen në vendin e 8-të me vetëm 5 pikë, duke regjistruar një bilanc prej 1 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje, ndërsa golavarazhi është negativ 6-8. Ky start tregon qartë se skuadra nuk ka arritur të gjejë ritmin e duhur dhe mbetet larg nivelit që pritet nga një ekip pretendente për titull.
START I DOBËT – Në total, Tirana ka zhvilluar 6 ndeshje, ku ka arritur vetëm një fitore, ka marrë dy barazime dhe ka pësuar tri humbje. Kjo e ka vendosur ekipin në vendin e 8-të në renditje, larg kryesuesve, duke krijuar një nevojë urgjente për rikthim të formës dhe stabilitetit. Golavarazhi negativ tregon se problemi nuk është vetëm në rezultatin final, por edhe në fazat e lojës, ku skuadra duket e paqartë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje (përjashto derbin).
PERFORMANCA NË SHTËPI – Një nga dobësitë më të mëdha të Tiranës është loja në fushën e vet. Në 2 ndeshjet e zhvilluara në “Selman Stërmasi”, bardheblutë nuk kanë arritur asnjë fitore. Një barazim dhe një humbje me golavarazh 2-3 e rendisin skuadrën në vendin e fundit (10) për rezultatet në shtëpi. Ky bilanc është shqetësues, pasi për një ekip me historik si Tirana, fitorja në fushën e vet duhet të jetë baza për çdo sezon të suksesshëm. Në këto ndeshje, skuadra ka treguar vështirësi në gjetjen e rrjetës dhe një pasiguri të dukshme në mbrojtje. Çdo gabim individual është paguar shtrenjtë, ndërsa mungesa e vazhdimësisë në lojë ka bërë që tifozët të largohen me dyshime nga stadiumi.
JASHTË FUSHE- Në transfertë, Tirana ka treguar një fytyrë më të qëndrueshme. Në 4 ndeshje jashtë, skuadra ka arritur të marrë 4 pikë, me një fitore dhe një barazim, ndërsa ka pësuar dy humbje. Golavarazhi jashtë fushe është 4- 5, ndërsa renditja e vendos ekipin në vendin e 3-të për rezultate si mysafir. Kjo tregon se, ndonëse Tirana ka probleme në fushën e vet, ekipi arrin të jetë më organizuar dhe i efektshëm jashtë fushe. Megjithatë, ky rezultat nuk mjafton për të kompensuar dobësitë në shtëpi, dhe bilanci total mbetet larg pritshmërive.
