Ngjarja e fundit tragjike, ku një gjyqtar i Republikës u vra në sallën e gjyqit është padyshim një këmbanë alarmi nga më buçitëset, që duhet të zgjojë ndërgjegjen tonë si shoqëri, për të ngritur në një nivel krejt të ri përgjegjësinë e ushtrimit të çdo detyre që, me vullnet të lirë apo jo aq opsional, kemi zgjedhur të mbajmë mbi shpatullat tona.

Akoma më shumë ka vlerë ky sens i lartë përgjegjësie në mjedise të caktuara institucionale, të cilat kanë një rëndësi të veçantë apo infrastrukturë kritike.

Në vetëm 24 orë është thënë shumëçka, është artikuluar aq shumë nga kënde të ndryshme – analitike apo emocionale. Të gjitha sa janë thënë mund të jenë legjitime, përveç njërës; urrejtjes që justifikon humbjen tragjike të jetës së njeriut.

Është jo vetëm e trishtueshme, por edhe shumë e rrezikshme në të njëjtën kohë, që gjuha e urrejtjes, derdhur lumë nëpër rrjete sociale, po kthehet në një normë malinje, që me konformizmin apo “miratimin” tonë menefregist, gradualisht po çimenton frymën e gabuar të një bashkëjetese sociale.

Në mënyrë të vazhdueshme kjo po nxit dhunë verbale a fizike, duke zhbërë sentimentin human që të gjithë duhet të manifestojmë, për të reflektuar e medituar me vetëdije mbi arsyet – më së pari në emër të dashurisë për jetën, e më pas për të mishëruar zinxhirin e vlerave apo standardeve të mirëfunksionimit. Kjo do të siguronte një mirëqenie të drejtë, ashtu siç dëshirojmë dhe synojmë, pa u ndalur e lodhur asnjëherë nga përpjekja për të dhënë secili një kontribut njerëzor, profesional, të drejtë dhe empatik.

Jeta sjell të papritura, të cilat mund të na ndodhin prej ditës kur shohim rrezen e parë të dritës, e deri ditën kur atë rreze nuk e shohim më – për t’ia lënë radhën të tjerëve që po ashtu do të jetojnë e do të lënë gjurmën e tyre në këtë botë kaq të trazuar e të helmuar nga fatkeqësitë e shkaktuara, as nga Zoti, as nga Natyra, por nga vetë ne!

Jemi të destinuar të përshkojmë vështirësi që nuk mbarojnë asnjëherë sa kohë marrim frymë, sfida që na rrisin apo na mbyllin në guackën e vetvetes, ëndrra e aspirata që, kur na realizohen, duket sikur i japin kuptim më të prekshëm jetës, apo që, në të kundërt, na shterrojnë kurajon për të vazhduar përpjekjen e pashmangshme.

Të gjitha janë gjurmë në të cilat ecim, me besim të kthjellët ose pasion, duke ndjerë në çdo hap tonin apo fazë të këtij rrugëtimi sprovues jetësor peshën e motiveve e arsyeve përse nuk duhet të ndalemi asnjëherë së punuari më mirë dhe së shpresuari më ndërgjegjshëm.

Optimizmi dhe shembulli i vetes janë pikënisja e së tashmes dhe e të nesërmes që vjen, për të qenë progresivisht, pak nga pak, dëshmitarë të një jete të merituar dhe në harmoni me njëri-tjetrin.

Në shoqëritë tona tronditemi vetëm kur befas jeta e njeriut këputet si fill nga dora e vetë njeriut, e nuk tutemi të tronditemi kur shohim me një heshtje e menefregizëm kronik, pa bërë asgjë për të përmirësuar veten, padrejtësi nga më të voglat e deri te ato më të mëdhatë.

Gabimet e politikës, si pjesë e zhvillimit tonë shoqëror, nuk përbëjnë assesi arsye për justifikim apo nënvlerësim të stadit të ndërgjegjes shoqërore, e cila duhet të mbetet vigjilente, aktive dhe e palëkundur në kërkesën për të drejtën dhe të mirën e përbashkët.

Ndaj, drita e kuqe e atij detektori ka një rëndësi aq të madhe. Sepse, nëse do të merrte kuptimin për të cilin ishte ndezur, minimalisht do të shmangte një tragjedi si ajo që ndodhi, ndërsa në rastin më të mirë ndoshta do të mundësonte që vetë sistemi i drejtësisë të shpejtonte e përmirësonte vendime të munguar prej vitesh, të cilat, nëse të gjithë së bashku do t’i kishim adresuar me përgjegjësi që në “momentin zero” të shfaqjes së tyre, do të kishin mbërritur jo vetëm në kohën e duhur, por edhe me garancinë e panegociueshme të sigurisë për jetën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb