“Quajeni Zelenskyy-n shqiptar” – kështu e nis artikullin e saj media prestigjioze ndërkombëtare Politico, duke iu referuar kandidaturës së satiristit të njohur shqiptar Florjan Binaj për postin e kryebashkiakut të Tiranës.

I famshëm për imitimet e tij të Kryeministrit Edi Rama dhe për rolet e shumta në ekran, Binaj ka shpallur të shtunën kandidaturën për zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen më 9 nëntor në kryeqytet, pas largimit të Erion Veliajt nga detyra pas arrestimit për korrupsion dhe shpërdorim detyre – akuza që ish-kryebashkiaku i mohon.

Mbështetja për kandidaturën e Binajt ka ardhur nga lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e ka përshkruar atë si një “aktivist të paepur” dhe “avokat të qytetarëve kundër korrupsionit”. Berisha, vetë i përfshirë në një betejë ligjore me drejtësinë, u ka bërë thirrje të gjitha partive opozitare dhe qytetarëve që të mbështesin Binajn si përfaqësues të “një profili të ri, të pastër dhe urban në politikë”.

Në një postim në Facebook, Binaj tha: “Kam vendosur të shpall kandidaturën time për Kryetar të Tiranës. Besoj se, edhe pse për një gjysmë mandati, kontributi im mund t’i shërbejë shpresës, unitetit dhe përmirësimit të jetës së banorëve të kryeqytetit.”

Megjithatë, kandidatura e tij ka shkaktuar debat në opinionin publik dhe mediat vendase. Krahasimet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili gjithashtu kaloi nga komedia në politikë, janë të pashmangshme, por jo të gjithë janë të bindur se Binaj ka përgatitjen e nevojshme për të menaxhuar një qytet me buxhet vjetor prej 250 milionë euro.

“Këtu nuk bëhet fjalë për një shfaqje kabareje, por për administrimin e një kryeqyteti të madh,” u shpreh analisti dhe ish-deputeti demokrat Edvin Kulluri në një intervistë për një televizion lokal.

Florjan Binaj do të garojë përballë kandidates së Partisë Socialiste dhe ish-ministres, Ogerta Manastirliu.

Zgjedhjet e 9 nëntorit do të zhvillohen edhe në pesë bashki të tjera: Berat, Vlorë, Tepelenë, Cërrik dhe Mat. Fituesit do të mbajnë detyrën deri në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Partia Socialiste, e cila ndodhet në mandatin e saj të katërt qeverisës, aktualisht kontrollon 54 nga 61 bashki në vend. Ndërsa opozita kërkon të shfrytëzojë këto zgjedhje për të rifituar terren, gara në Tiranë shihet si më e rëndësishmja dhe më simbolikja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb