Avokati dhe ish-prokurori Ervin Karanxha ka reaguar pas vrasjes së rëndë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi një ditë më parë brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit. I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Karanxha ka hedhur dritë mbi problemet e thella që lidhen me kushtet e sigurisë në ambientet gjyqësore në Shqipëri.

“Sikur të sigurojmë kushtet e sigurisë si në burg, nuk bëhen fare gjyqe,” tha Karanxha, duke ironizuar situatën.

Sipas tij, nëse do të zbatoheshin masa ekstreme sigurie, atëherë seancat gjyqësore nuk do të mund të zhvilloheshin në mënyrë funksionale. “Një person nuk i kontrollon dot 100 vetë, është e pamundur. Vetëm po të jetë ‘Spider-Man’ mund t’i kapë të gjithë,” shtoi ai me tone kritike.

Karanxha theksoi se nuk është e drejtë që fajësia për ngjarje të tilla t’i mbetet vetëm punonjësit të sigurisë. “Atij rojës do i ngelë faji, por puna nuk është faji i rojës. Themeli i problemit është më i thellë,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se dështimi është sistematik dhe ka të bëjë me mënyrën se si është ndërtuar dhe funksionon i gjithë sistemi i drejtësisë dhe sigurisë në vend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb