Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të martën se ajo dhe dy nga ministrat e saj ishin raportuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për bashkëpunim të dyshuar në gjenocid në lidhje me ofensivën izraelite në Gaza.
Duke folur në një intervistë me transmetuesin shtetëror RAI, Meloni tha se Ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto dhe Ministri i Jashtëm Antonio Tajani ishin denoncuar, dhe “mendoj” se edhe Roberto Cingolani, kreu i grupit të mbrojtjes Leonardo.
“Nuk besoj se ka një rast tjetër si ky në botë ose në histori”, tha Meloni.
Ajo nuk dha detaje se kush e kishte ngritur çështjen kundër saj dhe ministrave të saj.
Italia ka parë një sërë demonstratash gjatë javës së fundit, duke sjellë qindra mijëra njerëz në rrugë për të protestuar kundër vrasjeve masive në Gaza , me shumë protestues që kanë synuar edhe Melonin.
Qeveria e saj e krahut të djathtë, përgjithësisht një mbështetëse e vendosur e Izraelit, është distancuar kohët e fundit nga ajo që e quan ofensivë “joproporcionale” në Gaza , por nuk ka ndërprerë asnjë lidhje tregtare ose diplomatike, as nuk ka njohur shtetin e Palestinës.
Sulmi izraelit ndaj Gazës filloi pasi persona të armatosur nga grupi palestinez i rezistencës Hamas vranë rreth 1,200 persona dhe morën 251 pengje sipas të dhënave izraelite, në një sulm ndaj Izraelit jugor më 7 tetor 2023.
Izraeli ka vrarë më shumë se 67,000 njerëz, thonë zyrtarët e shëndetësisë në Gaza.
Izraeli mohon akuzat për gjenocid.
Meloni tha se ishte “e habitur” nga akuza për bashkëpunim në gjenocid sepse “kushdo që e njeh situatën është në dijeni se Italia nuk ka autorizuar furnizime të reja, le të themi, me armë për Izraelin pas 7 tetorit”.
Në përgjigje të vërejtjeve të saj, një zëdhënës i Leonardo tha se Cingolani e kishte shprehur tashmë qëndrimin e kompanisë në një intervistë me të përditshmen Corriere della Sera muajin e kaluar, kur tha se sugjerimi se ajo ishte bashkëpunëtore në gjenocid ishte “një mashtrim shumë serioz”.
Në komente të tjera, Meloni tha se besonte që Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte arritur në përfundimin se Rusia nuk ishte e interesuar për një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
“Përballë këtij refuzimi nga Presidenti rus Vladimir Putin… e vetmja rrugë përpara është të ushtrohet presion, të vazhdohet mbështetja për Ukrainën dhe të vendosen sanksione”, tha ajo.
