Të paktën 24 persona u vranë dhe 47 të tjerë u plagosën gjatë protestës kundër qeverisë ushtarake të Myanmarit, pasi një parashutë me motor hodhi dy bomba mbi turmën.

Lajmi u bë ditur për BBC nga një zëdhënës i qeverisë në mërgim.

Sulmi ndodhi të hënën në mbrëmje, kur rreth 100 persona ishin mbledhur në qytezën Chaung U në Mianmarin qendror për një festë kombëtare.

Mijëra njerëz kanë vdekur dhe miliona janë zhvendosur që nga viti 2021, kur ushtria mori pushtetin, duke shkaktuar një luftë civile me grupet e armatosura të rezistencës dhe milicisë.

Pasi humbi kontrollin e më shumë se gjysmës së vendit, ushtria tani po bën përsëri përparime të konsiderueshme, përmes një fushate veçanërisht të përgjakshme sulmesh ajrore dhe bombardimesh të rënda.

Komuna që u sulmua të hënën ndodhet në rajonin Sagaing, i cili ka qenë një fushëbetejë kyçe në luftë. Pjesë të mëdha të saj janë nën kontrollin e milicive vullnetare të krijuara pas grushtit të shtetit për të luftuar qeverinë ushtarake, ose juntën.

Këto grupe, të njohura si Forca e Mbrojtjes Popullore (PDF), drejtojnë gjithashtu administratën lokale. Një zyrtar lokal i tha BBC se ata kishin marrë informacion në lidhje me një sulm të mundshëm ajror gjatë tubimit të së hënës.

Ata u përpoqën ta përfundonin protestën shpejt, por parashutat arritën në vendngjarje më herët se sa pritej.

“Gjithçka ndodhi brenda shtatë minutash”, tha ai, ndërsa shtoi se shpërthimi e lëndoi në këmbë, por disa njerëz pranë tij u vranë.

Vendasit raportojnë se ishte e vështirë të identifikoheshin trupat pas ngjarjes.

“Fëmijët u bënë copë-copë”, tha për agjencinë e lajmeve AFP një grua tjetër që kishte ndihmuar në organizimin e ngjarjes. Ajo nuk ishte në vendngjarje, por mori pjesë në funeralet e së martës dhe shtoi se ata ende po “mbledhin pjesë trupash”.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb