Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se është arritur marrëveshja e paqes mes Hamasit dhe Izraelit.

Ai shtoi se pengjet e mbajtura në Gaza ka të ngjarë të lirohen të hënën, si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit.

“Pengjet do të lirohen – ndoshta koha jonë do të jetë e hëna… Tani për tani, po ndodhin shumë gjëra me lirimin e pengjeve dhe ne besojmë se të gjithë do të kthehen të hënën, dhe kjo do të përfshijë edhe trupat e të vdekurve.”

Presidenti Trump iu referua gjithashtu rindërtimit të Gazës: “Ne do të marrim pjesë në ndihmën e tyre për të pasur sukses dhe për të ruajtur paqen.”

Deklarata vjen disa orë pasi Trump njoftoi zyrtarisht marrëveshjen midis dy palëve, e cila përfshin shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve dhe tërheqjen graduale të trupave izraelite nga Rripi i Gazës.

Ushtria izraelite njoftoi se Shefi i Forcave të Armatosura, Gjenerali Eyal Zamir , urdhëroi forcat të jenë në gatishmëri të lartë operative për kthimin e pengjeve, pas marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin.

Sipas njoftimit përkatës, Zamir dha udhëzime për forcimin e mbrojtjes dhe përgatitjen për çdo skenar të mundshëm, ndërsa theksoi se operacioni për lirimin e pengjeve duhet të kryhet “me ndjeshmëri dhe profesionalizëm”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb